Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti Ambasadorin e Shtetit të Izraelit, Ohad Kaynar, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Gjatë ceremonisë, Kreu i Shtetit i uroi ambasadorit suksese në detyrën e re, ndërsa në vijim të takimit u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Izraelit. Këtë vit, dy vendet shënojnë 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e ekonomisë, teknologjisë, sigurisë, mbrojtjes kibernetike dhe turizmit, si dhe në rritjen e shkëmbimeve mes qytetarëve të të dy vendeve.
Gjatë bashkëbisedimit u nënvizua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit për promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
