Rama shpërblen me 4.5 milionë euro policinë pas protestave, ja kush përfitoi
Qeveria shqiptare ka shpërndarë rreth 4.5 milionë euro në formën e shpërblimeve të posaçme për punonjësit e Policisë së Shtetit të angazhuar gjatë protestave të fundit. Bëhet fjalë për një fond prej 446 milionë lekësh të reja, i cili është kaluar në favor të disa strukturave policore, përmes dy ekzekutimeve financiare të kryera brenda një harku kohor prej vetëm gjashtë ditësh.
Sipas të dhënave të publikuara nga Spending Data Albania, pagesat janë realizuar më 23 dhe 29 tetor 2026, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 787, datë 19 tetor 2026.
Shpërndarja e këtij fondi vjen pas përballjeve të dhunshme mes policisë dhe protestuesve, ku u përdorën gaz lotsjellës, ujëhedhës dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmave. Ndërsa protestat u shoqëruan me akuza për përdorim të tepruar të forcës dhe dhunë ndaj qytetarëve, qeveria ka akorduar miliona euro në formë shpërblimesh për strukturat e angazhuara në terren.
Nga RENEA te strukturat përgjegjëse për furnizimin me gaz lotsjellës
Të dhënat financiare tregojnë se përfitues të fondit nuk janë vetëm efektivët e angazhuar drejtpërdrejt në terren, por edhe disa prej strukturave të specializuara dhe njësive mbështetëse të Policisë së Shtetit.
Në listën e institucioneve përfituese përfshihen:
-
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë;
-
Reparti Special RENEA;
-
Qendra e Furnizimit Materialo-Teknik (QFMT), përgjegjëse për furnizimin logjistik, përfshirë mjetet dhe pajisjet për përdorimin e gazit lotsjellës;
-
Drejtoria e Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Tiranë;
-
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale;
-
Drejtoria e Antiterrorit;
-
Komisariati i Policisë, Njësia e Sigurisë Shkodër;
-
Komisariati i Policisë Berat.
Prania e Qendrës së Furnizimit Materialo-Teknik në listën e përfituesve merr vëmendje të veçantë, pasi kjo strukturë administron edhe furnizimin me pajisje dhe mjete të përdorura gjatë ndërhyrjeve policore, përfshirë ato për hedhjen e gazit lotsjellës.
446 milionë lekë në vetëm dy ditë ekzekutime
Sipas Spending Data Albania, e gjithë shuma prej rreth 4.5 milionë eurosh është transferuar nga Thesari i Shtetit përmes dy datave të veçanta, 23 dhe 29 tetor. Transaksionet janë të pasqyruara në databazën e hapur të organizatës AIS, ku qytetarët mund të verifikojnë pagesat dhe institucionet që kanë përfituar.
Vendimi për shpërblimet financiare ka rikthyer vëmendjen te mënyra se si qeveria ka zgjedhur të vlerësojë strukturat policore pas protestave, në një kohë kur përballja mes uniformave blu dhe qytetarëve është shoqëruar me akuza të rënda për dhunë dhe përdorim të forcës.
Në vend që debati publik të përqendrohet vetëm te bilanci i ndërhyrjeve policore, tashmë në qendër të vëmendjes është edhe fatura financiare e shpërblimeve, me 446 milionë lekë të shpërndara për strukturat e Policisë së Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



