E premte, 6 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
9 punonjës humbën jetën brenda vitit, OSHEE hesht për tragjeditë
Lajme

9 punonjës humbën jetën brenda vitit, OSHEE hesht për tragjeditë

Nëntë punonjës të sektorit elektrik kanë humbur jetën gjatë vitit 2026, në rrethana tragjike, teksa kryenin detyrën për riparimin e defekteve dhe mirëmbajtjen e rrjetit elektrik. Rasti më i fundit është ai i Altin Petanajt, 45-vjeçarit që humbi jetën mesditën e 6 nëntorit në fshatin Kocul të Vlorës, pasi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë punimeve në një nënstacion.

Ngjarja e fundit e rëndë e çon në nëntë numrin e elektricistëve që kanë humbur jetën këtë vit, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi kushtet e punës, masat mbrojtëse dhe sigurinë teknike në terren. Pavarësisht tragjedive të përsëritura, ende nuk ka një përgjigje publike nga OSHEE për masat e marra për të parandaluar aksidente të tilla.

Altin Petanaj, viktima e nëntë e vitit 2026

Petanaj humbi jetën gjatë një ndërhyrjeje për riparimin e një defekti në nënstacionin elektrik në Kocul të Vlorës. Ai ndodhej në grup me punonjës të tjerë kur ra në kontakt me rrymën elektrike. Rrethanat e plota të aksidentit mbeten ende për t’u sqaruar.

Vetëm një ditë më parë, një tjetër tragjedi ishte regjistruar në fshatin Vasije të Kalasë së Dodës, ku Lulzim Shehu humbi jetën pasi u zu poshtë nga një shtyllë elektrike gjatë punës.

Bilanci i viktimave gjatë muajve të fundit është edhe më tronditës:

  • Lulzim Shehu – humbi jetën më 5 nëntor në Vasije të Kalasë së Dodës, pasi u zu poshtë nga një shtyllë elektrike.

  • Klajdi Zekthi – humbi jetën në tetor në fshatin Trojas të Belshit, pasi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë riparimit të një defekti.

  • Ermal Dëbrova – ndërroi jetë më 12 shtator në Marglliç të Patosit, teksa punonte në një shtyllë elektrike dhe u godit nga rryma.

  • Muhamet Sylisufaj – humbi jetën më 8 shtator gjatë punës në rrugën e Dobravës, ndërsa tre kolegë të tij mbetën të plagosur.

  • David Deda – humbi jetën më 29 gusht në Karmë të Vaut të Dejës, gjatë një ndërhyrjeje për riparimin e një instalimi elektrik. Në të njëjtën ngjarje humbi jetën edhe Sokol Preka, i cili nuk përfshihet në bilancin e nëntë elektricistëve.

  • Agim Beqiri – ndërroi jetë më 26 korrik në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, pasi ra në kontakt me energjinë elektrike.

  • Bashkim Boçi – humbi jetën më 22 korrik në Himarë, pasi ra nga rreth 9 metra lartësi gjatë riparimit të një defekti. Sipas raportimeve, atij iu këput rripi i sigurisë.

  • Mark Prenga – ishte viktima e parë e këtij viti, duke humbur jetën më 19 shkurt në fshatin Rrilë të Lezhës, teksa po riparonte një defekt në një shtyllë elektrike.

Këto humbje jete nuk janë thjesht shifra në një bilanc vjetor. Pas secilës prej tyre qëndron një familje që ka humbur njeriun e saj, ndërsa punonjësit e terrenit vazhdojnë të përballen me rreziqe të larta gjatë përmbushjes së detyrave.

Siguria në punë dhe përgjegjësia e OSHEE-së

Përsëritja e aksidenteve fatale ngre pikëpyetje mbi standardet e sigurisë në punë, pajisjet mbrojtëse, trajnimet teknike dhe mbikëqyrjen e ndërhyrjeve në rrjetin elektrik.

Rastet e Lulzim Shehut, i cili u zu poshtë nga një shtyllë, dhe Bashkim Boçit, që ra nga lartësia pasi iu këput rripi i sigurisë, tregojnë se rreziku nuk lidhet vetëm me kontaktin e drejtpërdrejtë me energjinë elektrike, por edhe me kushtet fizike dhe pajisjet që përdoren gjatë punës.

Për këto problematika, redaksia e Shekullit i është drejtuar OSHEE-së që prej muajit shtator me një kërkesë për informacion, duke kërkuar sqarime mbi masat parandaluese, kontrollet e sigurisë, trajnimet e punonjësve dhe kriteret për përzgjedhjen e personelit që kryen ndërhyrjet në terren.

Megjithatë, deri në publikimin e raportimit, OSHEE nuk kishte kthyer përgjigje.

Heshtja e institucionit përballë një bilanci të tillë tragjik lë pa përgjigje disa nga pyetjet më të rëndësishme: Çfarë masash konkrete janë marrë për të mbrojtur jetën e elektricistëve? A kontrollohen rregullisht pajisjet dhe kushtet në të cilat ata punojnë? A garantohet zbatimi i plotë i protokolleve të sigurisë përpara çdo ndërhyrjeje?

Nëntë jetë të humbura në më pak se një vit janë një bilanc që kërkon transparencë dhe përgjegjësi. Ata që çdo ditë punojnë për të rikthyer energjinë elektrike në shtëpitë e qytetarëve duhet të kenë të garantuar mbi të gjitha të drejtën për t’u kthyer të sigurt pranë familjeve të tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.