
Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, ka komentuar protestat studentore në Tiranë, duke i konsideruar ato një tregues të pakënaqësive dhe tensioneve që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare. Gjatë një vizite në Korçë, ajo u shpreh se protesta është një e drejtë themelore e qytetarëve, ndërsa përdorimi i dhunës mbetet i papranueshëm. ”Protestat na treguan që ka një lloj tensioni në shoqërinë shqiptare, sepse përndryshe njerëzit nuk do të kishin dalë për të protestuar”, deklaroi Monster, duke shtuar se dhuna e shfaqur gjatë tyre ishte diçka që e kishte “shokuar dhe surprizuar”.
Në fokus të deklaratave të saj ishte edhe raporti i progresit i Komisionit Europian për Shqipërinë. Ambasadorja vlerësoi hapat e ndërmarrë nga vendi në procesin e integrimit europian, por nënvizoi se mbeten ende problematika që kërkojnë angazhim të mëtejshëm, veçanërisht në drejtim të lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.
”Raporti shënon shumë nota pozitive për të cilat Shqipëria ka bërë progres. Njëkohësisht evidentohen edhe shumë çështje që kërkojnë akoma vëmendje dhe punë”, u shpreh ajo. Monster theksoi se pikërisht këto problematika ishin pjesë e diskutimeve të zhvilluara në Korçë, me fokus mënyrën se si sistemi gjyqësor mund të kontribuojë në garantimin e lirisë së medias.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe protestave të studentëve e qytetarëve, diplomatja konfirmoi se Holanda do të vijojë të mbështesë integrimin europian të Shqipërisë. Ajo rikujtoi se qasja e vendit të saj mbështetet në tre parime: të qenit strikt, i drejtë dhe i angazhuar. ”Ne mundohemi të vazhdojmë të mbështesim rrugëtimin e Shqipërisë drejt pranimit në BE nëpërmjet mundësive tona, gjë që na mban të angazhuar në këtë çështje”, deklaroi ambasadorja.
Në përfundim, Monster u ndal te reforma në drejtësi, për të cilën tha se Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të re, atë të konsolidimit. Sipas saj, sfida kryesore mbetet kalimi nga angazhimet e shkruara në dokumente te zbatimi konkret i reformave. ”Rëndësi ka jo vetëm ajo çfarë është e shkruar në letra, por edhe zbatueshmëria e saj dhe të qëndruarit deri në fund të angazhimeve që janë marrë në kuadër të këtyre reformave”.
