Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, zhvilloi konsultime me përfaqësuesit e partive politike të zgjedhura, në përpjekje për të përcaktuar se cili kandidat ka mundësinë të krijojë qeverinë e re, pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, që nuk prodhuan një shumicë të qartë qeverisëse.

Në përfundim të konsultimeve me të gjitha fraksionet parlamentare, Herzog njoftoi se të dielën do t'i japë mandatin një deputeti për formimin e qeverisë. Ai theksoi se, pavarësisht epërsisë së qartë në rekomandimet parlamentare, situata mbetet e ndërlikuar për shkak të mospajtimeve mes partive politike.

Sipas presidentit izraelit, partitë që përfaqësojnë 67 deputetë kanë rekomanduar kreun e partisë Yashar, Gadi Eisenkot, si kandidat për kryeministër, ndërsa 46 deputetë kanë mbështetur kryeministrin aktual Benjamin Netanyahu.

Përbërja e mbështetjes prej 67 deputetësh është e ndarë mes katër partive të bllokut opozitar hebraik dhe dy formacioneve politike arabe.

Megjithatë, kjo mbështetje nuk përbën ende një marrëveshje të mirëfilltë koalicioni. Lista e Përbashkët Arabe ka deklaruar se është e gatshme të mbështesë një qeveri nga jashtë koalicionit, pa qenë pjesë e saj. Edhe Ra’am ka shprehur mbështetjen për Eisenkotin, ndërsa mbeten të paqarta kushtet e bashkëpunimit të saj me partitë e tjera. Eisenkot ka vendosur gjithashtu kushte për partnerët e mundshëm, përfshirë njohjen e Hamasit si organizatë terroriste.

Nga ana tjetër, Benjamin Netanyahu mori rekomandimin e 46 deputetëve. Likud, partia e tij, doli forca e parë në zgjedhje me 27 mandate, por blloku i tij politik ka mbetur pa shumicën parlamentare.

Herzog ka paralajmëruar se do të zhvillojë konsultime të tjera me drejtuesit e partive përpara vendimit të së dielës, duke theksuar se numri i rekomandimeve nuk garanton automatikisht aftësinë për të formuar një qeveri.

Kandidati që merr mandatin ka 28 ditë kohë për të formuar kabinetin, me mundësi zgjatjeje deri në 14 ditë të tjera.

Nëse Eisenkot arrin të formojë qeverinë e re, kjo do të shënonte fundin e një periudhe të gjatë të dominimit politik të Benjamin Netanyahut. Ndërsa sfida kryesore për Eisenkot do të jetë krijimi i një shumice funksionale dhe të qëndrueshme, duke kapërcyer dallimet mes partive hebraike dhe arabe.