Tërhiqet nga tregu shqiptar spatula e kuzhinës, përmban substancë kimike

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 06.11.2026, 14:53

Një tjetër produkt i tregtuar në Shqipëri po tërhiqet nga tregu pas një alarmi të autoriteteve belge. Bëhet fjalë për spatulën e kuzhinës “Nylon Serving Spatula 33cm”, të tregtuar nga kompania ARTEG GROUP, në të cilën analizat laboratorike kanë zbuluar migrim mbi kufirin e lejuar të substancës kimike 4,4’-diaminodiphenylmethane (MDA). Sinjalizimi është bërë përmes sistemit europian RASFF, ndërsa rasti është klasifikuar si risk jo serioz për shëndetin e njeriut.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, konsumatorët që kanë blerë produktin me barkod 5413821079684 duhet të ndërpresin përdorimin e tij në kontakt me ushqimin dhe mund ta kthejnë në dyqanet e kompanisë për të përfituar rimbursimin e plotë. Rasti rikthen vëmendjen te siguria e produkteve që tregtohen në Shqipëri, në një kohë kur gjatë vitit 2025 ISHMT kreu 2.445 inspektime dhe kontrolloi 5.794 produkte, nga të cilat 74 rezultuan jokonforme. Krahasuar me vitin 2024, numri i produkteve të kontrolluara ra me rreth 33%.

Ndërkohë, autoritetet shqiptare nuk kanë bërë të ditur se sa njësi të spatulës janë shitur në vend dhe sa prej tyre janë tërhequr nga tregu. Për krahasim, sistemi europian Safety Gate regjistroi 4.671 alarme për produkte joushqimore të rrezikshme gjatë vitit 2025, 13% më shumë se një vit më parë. Edhe pse këto shifra nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme, ato ngrenë pikëpyetje mbi shtrirjen dhe efektivitetin e mbikëqyrjes së produkteve që mbërrijnë te konsumatorët shqiptarë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit