Bilanci shqetësues/ 9 elektricistë të rënë në krye të detyrës në 10 muaj, nga 45-vjeçari sot në Vlorë te viktima e parë e vitit në Lezhë

06/11/2026 15:12

Sot në fshatin Kocul të Vlorës, në mesditë humbi jetën elektricisti 45-vjeçar Altin Petanaj, i cili ra në kontakt me rrymën elektrike teksa grupi i punonjësve po kryente punime riparimi në nënstacionin elektrik.

Rrethanat e plota të ngjarjes që i mori jetën Petanajt ende nuk dihen, por tragjedia e sotme thellon më tej bilancin e elektricistëve që kanë humbur jetën këtë vit në krye të detyrës, numër i cili tani ka shkuar në nëntë.

Lulzim Shehu humbi jetën ditën e djeshme pasi teksa punonte u zu poshtë nga një shtyllë elektrike, në fshatin Vasije të kalasë së Dodës.

Vetëm një muaj më parë në fshatin Trojas të Belshit, i riu Klajdi Zekthi humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike teksa rregullonte një defekt.

Më 11 shtator, një ditë para Zekthit humbi jetën Ermal Dëbrova në fshatin Marglliç të Patosit, edhe ai ra në kontakt me rrymën teksa punonte në një shtyllë elektrike.

Ndërkohë më 8 shtator, teksa punonte në rrugën e Dobravës, humbi jetën Muhamet Sylisufaj pasi ra në kontakt me rrymën elektrike, ngjarje ku të plagosur mbetën edhe tre kolegë të tij.

Tragjedi pati edhe gjatë muajve të verës, kur më 29 gusht, humbi jetën në fshatin Karmë të Vaut të Dejës, David Deda, kur ky i fundit dhe Sokol Preka (40 vjeç, roje i një lokali) po punonin për riparimin e një instalimi elektrik në ambientet e jashtme të një biznesi privat dhe ranë në kontakt aksidental me rrymën elektrike.

Vetëm tre ditë para tij, më 26 korrik humbi jetën Agim Beqiri në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, pasi ra në kontakt me rrymën elektrike.

Ndërkohë, më 22 korrik, Bashkim Boçi humbi jetën në Himarë, teksa po punonte për të riparuar defektet dhe për të rikthyer energjinë elektrike pas një stuhie të fortë që kishte goditur jugun e vendit. Ai ra nga një lartësi prej rreth 9 metrash nga një shtyllë elektrike pasi iu këput rripi i sigurisë dhe u dërgua në spital pa shenja jete.

Ndërkohë, elektricisti i parë që humbi jetën këtë vit ishte Mark Prenga. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 19 shkurtit 2026, në fshatin Rrilë të Lezhës teksa ai po punonte për riparimin e një defekti në një shtyllë elektrike kur u godit nga rryma.

 

Top Channel