Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Banka Botërore kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e eko-parqeve industriale në Kosovë.

Projekti synon modernizimin e infrastrukturës industriale, krijimin e kushteve më të mira për bizneset, rritjen e investimeve dhe integrimin e parimeve të ekonomisë qarkore në sektorin e industrisë.


Në ceremoninë e prezantimit të projektit morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe sektorit privat.

Ministrja Kusari-Lila tha se zhvillimi i eko-parqeve industriale paraqet një hap drejt një modeli më modern dhe të qëndrueshëm të zhvillimit industrial, ku rritja e prodhimit shoqërohet me shfrytëzim më efikas të burimeve dhe ndikim më të vogël në mjedis.

Sipas saj, projekti parasheh avancimin e infrastrukturës industriale, përdorimin e energjisë së ripërtëritshme, zbatimin e parimeve të ekonomisë qarkore dhe bashkëpunimin ndërmjet ndërmarrjeve për ripërdorimin e materialeve dhe reduktimin e mbetjeve.

Kusari-Lila theksoi se këto ndërhyrje synojnë të rrisin konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe t'i përgatisin prodhuesit për kërkesat e tregjeve ndërkombëtare. Ajo shtoi se eko-parqet pritet të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve private, rritjen e eksporteve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, përfshirë mundësi më të mëdha për gratë dhe të rinjtë.

Ministrja iu referua edhe raportit të IFC-së dhe Bankës Botërore për sektorin privat në Kosovë, i cili vlerëson potencialin për mobilizimin e 1.2 deri në 1.5 miliardë dollarëve investime private dhe krijimin e 61 mijë deri në 87 mijë vendeve të reja të punës.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha se zhvillimi i eko-parqeve industriale është në përputhje me orientimin e Qeverisë për një ekonomi qarkore dhe konkurruese.

Ai theksoi se njëri nga synimet është që produktet që aktualisht importohen të fillojnë të prodhohen në Kosovë, duke zgjeruar kapacitetet e bizneseve vendore dhe duke krijuar kushte për investime të reja.

“Ne duam që sa më shumë mallra që sot i blejmë nga jashtë të prodhohen në Kosovë. Prandaj, parqet industriale i shohim si një nga mekanizmat që mund të na ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi. Ato u ofrojnë bizneseve vendore hapësirën dhe infrastrukturën e nevojshme për t'i zgjeruar kapacitetet prodhuese, ndërsa krijojnë kushte më tërheqëse për investitorët e huaj që dëshirojnë të zhvendosin një pjesë të veprimtarisë së tyre prodhuese në vendin tonë”, tha Kurti.

Ai shtoi se investimet e tilla duhet të sjellin jo vetëm kapital, por edhe vende të reja pune, teknologji, njohuri dhe mundësi bashkëpunimi me furnizuesit vendorë.

Shefi i Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave për realizimin e projektit. Ai tha se eko-parqet industriale janë pjesë e qasjes evropiane për një ekonomi më konkurruese dhe të qëndrueshme.

Ndërkaq, menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, tha se projekti synon t'i ndihmojë bizneset të tejkalojnë barrierat që lidhen me shfrytëzimin efikas të energjisë, ujit dhe burimeve natyrore, si dhe me menaxhimin e mbeturinave.

Sipas saj, këto përmirësime mund të kontribuojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore dhe në zgjerimin e pranisë së tyre në tregjet ndërkombëtare.

Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, ndërsa zbatohet nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore.

Përveç zhvillimit të infrastrukturës, nisma synon edhe avancimin e kornizës ligjore dhe institucionale për parqet industriale, si dhe integrimin e parimeve të ekonomisë qarkore në funksionimin e tyre. /Telegrafi/