Në një debat televiziv mbrëmë në TPZ, Vizion +, tre nga zërat më të njohur të sheshit u ulën në të njëjtën studio dhe folën për të ardhmen e protestës. Arlind Qori, i pyetur nëse protesta do të dalë me një kandidat të përbashkët, u përgjigj me një fjali që meriton të ruhet: “Mund të ketë kandidatë nga protesta, por nuk do të ketë një kandidat të protestës.” Dhe shtoi, për të mos lënë asnjë dyshim: “Nëse do të kemi një kandidat të përbashkët, mua më duket iluzion.”
Agron Shehaj ishte më optimist, tha se nuk do të përjashtonte bashkimin dhe se partia e tij është e hapur për bashkëpunim, por e mbylli me një diagnozë po aq domethënëse: “Problemi është ekzekutimi, jo modeli.”
Pra, liderët e sheshit na thonë me bindje të plotë se protesta nuk ka kandidat, nuk ka listë dhe nuk do të ketë organizim të përbashkët. Këtë e thonë si analistë që e njohin terrenin, me qetësinë e atij që e di mirë se si do të shkojnë gjërat.
Por pikërisht këtu qëndron ironia e madhe e kësaj historie, sepse ata nuk po përshkruajnë një fenomen që ndodh larg tyre. Ata po përshkruajnë veten. E vërteta është se protesta nuk është një entitet abstrakt që mbin vetë në bulevard.
Protesta, në kuptimin politik, janë pikërisht ata, partitë e vogla, lëvizjet, figurat që e kanë udhëhequr prej muajsh dhe që flasin në emër të saj në çdo studio. Kur Qori thotë se nuk do të ketë kandidat të përbashkët, ai nuk po bën parashikim, po njofton një vendim. Dhe kur Shehaj thotë se problemi është ekzekutimi, mbetet vetëm një pyetje e thjeshtë: ekzekutimi i kujt, nëse jo i atyre që janë ulur në atë studio?
Subkoshienca e tyre e nxjerr përfundimin më mirë se çdo analizë. Ata flasin me aq bindje për përçarjen e sheshit, sepse e njohin nga brenda, është përçarja e tyre. Flasin me aq siguri se nuk do të ketë bashkim, sepse janë ata që nuk po bashkohen. Pra, në vend që të na shpjegojnë pse protesta nuk organizohet, pa dashje na rrëfejnë pse ata nuk po e organizojnë.
Sociologu amerikan Robert K. Merton e quajti këtë “profeci që vetëpërmbushet”.
Sipas tij, kur një grup njerëzish e përkufizon një situatë si të pashmangshme, ai fillon të sillet në mënyrë të tillë që e bën atë situatë realitet, edhe kur në fillim ajo nuk ishte e vërtetë. Kur liderët e sheshit përsërisin në çdo studio se bashkimi është “iluzion”, ata nuk po e matin realitetin, po e prodhojnë. Dhe pastaj, kur bashkimi nuk ndodh, do të thonë se e kishin parashikuar.
Kam shkruar më herët për feudalizmin e partive dhe për ligjin e hekurt të oligarkisë që Robert Michels e formuloi njëqind vjet më parë.
Ky debat ishte ilustrimi i tij më i pastër. Max Weber, në “Politika si profesion”, e ndante politikanin që jeton “për” politikën nga ai që jeton “nga” politika. I pari e mat suksesin me kauzën, i dyti me mbijetesën e organizatës së vet.
Kur një lider thotë hapur se protesta mund të ketë kandidatë, por kurrë një kandidat të vetëm, ai po thotë në fakt se secili do ta mbrojë kandidatin e tij, listën e tij dhe territorin e tij të vogël, edhe nëse kjo do të thotë që kauza e përbashkët të mbetet pa fytyrë.
Duhet thënë, për t’u qenë korrekt, se nuk janë të gjithë njësoj. Shehaj të paktën e la derën hapur dhe foli për bashkëpunim, ndërsa Qori pati ndershmërinë ta thoshte hapur atë që të tjerët e mendojnë në heshtje. Por ndershmëria në përshkrimin e problemit nuk e zgjidh problemin. Përkundrazi, e bën edhe më të rëndë, sepse tregon se ata e shohin qartë rrugën që i çon në humbje dhe megjithatë zgjedhin ta ndjekin.
Në këtë tablo, i vetmi që sot duket korrekt me veprimin që duhet ndërmarrë, bashkimin e forcave kundër establishmentit, është Adriatik Lapaj. Ai ka mbrojtur idenë e bashkimit dhe ka nisur nisma konkrete të përbashkëta, si referendumi për Paketën e Maleve dhe investimet strategjike, që janë pikërisht lloji i veprimit që e kthen zemërimin e sheshit në diçka me emër dhe me drejtim.
Mund të mos pajtohesh me të në gjithçka, por të paktën ai nuk e ka shpallur bashkimin iluzion para se ta provojë.
Dhe ndërkohë sheshi, ai i vërteti, mijërat e qytetarëve që në verë dolën në mënyrë paqësore, studentët, prindërit, njerëzit pa parti, po dëgjojnë nga studiot se përfaqësuesit e tyre nuk do të bashkohen kurrë. Pas kësaj, nuk duhet të habitemi pse sheshet zbrazen. Askush nuk qëndron në një protestë kur vetë drejtuesit e saj i thonë se fitorja është iluzion.
Pra, kur liderët e protestës thonë se protesta nuk ka kokë, ata kanë plotësisht të drejtë. Por harrojnë të shtojnë detajin më të rëndësishëm: koka mungon sepse secili prej tyre ka zgjedhur të mbetet kokë e trupit të vet të vogël, në vend që të bëhet pjesë e një trupi të madh. Dhe në politikë, një protestë me shumë koka dhe pa asnjë trup ka vetëm një emër. Quhet humbje e paralajmëruar./Lexo
-
Persh. Argumete te trajtuaraj ne artikull kane nje ndjesi shume te Artikulluara. Por ajo qe me shqeteson eshte se te tre nuk mund te lubrifikojne demokracine ne Shqipeti. Ajo qe dua te them eshte, ata nuk kane kapacitetet intelektuaj, kjo vihet re ne menyren se si duan te behen protagoniste. Nuk mund te flasesh ne emer te studentave , kur ata qe dalin ne rruge dhe thyejne e shkatreojne gjithcka. Keta po njellosin studente po krijojne terror. Kam vene re se ne te gjitha daljet publike te tyre degjoj nje zhargon nga me te ultet. Vetem dy gjera artikullojne qarte : 1. Ke per ta pare cfare do te te ndodhe. Dhe kete e kane perdorur gjategjithe kohes. 2.Hike ti te vij une , se une jam me i miri. Ata u provuan ne nje pale zgjedhe. Por duke perdorur sharrjet dhe kercenimet e tyre dhe te perkrahesve te tyre , kam kuptuar qe ata duan te bejne sherin e budallajit. Gjithsesi shkrimet, dhe analizat e tua i ndjek me shume vemendje. Vazhdo te besh analiza t denja dhe kuptoj ndonje here nuk i bihet murit me koke, duhet hapur ndonjere rruga per nje rreagim me te thelle.
Përgjigju-
Njeri me pis se sa tjetri , ju mingon edukata integriteti , dolen nga hiçi si hienat .Keta tre zullumqare , intrigant pa kulture qytetare jane plera si e gjithe opozita shqiptare .
-











Komente
Komento