Tirana synohet të çlirohet nga një pjesë e konsiderueshme e trafikut të automjeteve që udhëtojnë drejt jugut dhe juglindjes së vendit. Bypass-i i kryeqytetit, një aks i ri rrugor prej 21 kilometrash, do të lidhë autostradën Tiranë-Durrës me atë Tiranë-Elbasan, duke shmangur hyrjen në qytet. Kryeministri Edi Rama inspektoi kantierin e ndërtimit, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në 10 kilometrat e parë, të financuar nga ARRSH, është realizuar mbi 50 për qind e punimeve. Ndërsa për 11 kilometrat e mbetur parashikohet financim nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe një grant prej rreth 53 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e financimit pritet të miratohet brenda tremujorit të parë të vitit 2027, për t'i hapur rrugë nisjes së punimeve edhe në pjesën e mbetur. Gjatë inspektimit, kryeministri Rama theksoi se projekti do të ndikojë jo vetëm në qarkullimin e automjeteve, por edhe në vlerën e pronave përgjatë aksit.