"I dyshuari përfitoi mbi 400 mijë euro, kërkoi prona me vlerë 1 milion euro", Prokuroria me aktakuzë për fajde ndaj një personi në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K., për shkak të veprave penale “Fajdeja“, dhe “Detyrimi“.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se, E.K., së bashku me të pandehurin A.K., akuzohet për veprën penale “Fajdeja“, të kryer në bashkëkryerje, nga neni 331, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
"Sipas aktakuzës, nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, i pandehuri E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., i ka dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm jo proporcionale. Si rezultat i kësaj skeme fajdeje, vetëm në emër të kamatave nga viktima B.Ç., i njëjti merr mbi 400,000 (katërqind mijë) euro", thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se i pandehuri E.K., me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, përmes kanosjeve serioze dhe presionit, e ka detyruar viktimën B.Ç., që të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici, duke e kanosur me vrasjen e tij dhe të anëtarëve të familjes. Me këto veprime, viktimës i ka shkaktuar dëm pasuror, frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe të familjarëve.
"Në pamundësi për të përballuar dhe shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie hyn edhe viktima e dytë B.B., i cili merr para nga të pandehurit për ta ndihmuar viktimën e parë në shlyerjen e borxhit. Të pandehurit E.K., dhe A.K., për shkak të grumbullimit të kamatave, nga viktima kërkojnë shumën prej 550,000 (pesëqind e pesëdhjetë mijë) euro. Në vijim të këtyre veprimeve, gjatë bisedës me viktimën, i pandehuri i kërkon këtij të fundit shumën prej 450,000 (katërqind e pesëdhjetë mijë) euro, duke i kërkuar që, në emër të kamatave, t’ia kalojë në pronësi lokalet afariste dhe shtëpinë, me vlerë rreth 1 (një) milion euro. Ashtu që, më datë 11.03.2026, së bashku me viktimën dhe nënën e tij, të shkojnë fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat, për të vazhduar më pas me procedurat noteriale për kalimin e pronës, mirëpo, si rezultat i zbatimit të masave të veçanta hetimore, ndërhyn policia dhe i arreston të pandehurit".
Lidhur me të njëjtin rast, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe në drejtim të veprës penale “Pastrimi i parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy (2) automjeteve, akteve të ndryshme noteriale dhe provave të tjera materiale, të cilat ndërlidhen me veprat penale të lartcekura.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Telegrafi/








































