Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Adnon Jasharin, i dyshuar për vrasjen e Diana Kastratit, ngjarje e rëndë e ndodhur në maj të vitit 2011 në Prishtinë.

Shpallja në kërkim vjen pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti të mërkurën aktakuzë në mungesë ndaj Jasharit, i cili prej 15 vitesh nuk është arrestuar. Pas ngjarjes, raportimet e kohës bënin me dije se ai ndodhej në Spanjë, shtet me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ekstradimi.

Diana Kastrati u vra në maj të vitit 2011, vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar nga Gjykata Komunale e Prishtinës një urdhër emergjent mbrojtjeje. Kërkesa e saj, megjithatë, nuk kishte marrë përgjigje nga institucioni.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për lokalizimin e të dyshuarit, duke theksuar se kërkimi bëhet në bazë të urdhëresës së Gjykatës për seancën e 10 nëntorit 2026.

Kushdo që disponon informacion mbi vendndodhjen e Adnon Jasharit mund të njoftojë Policinë përmes adresës elektronike [email protected] ose duke u paraqitur në stacionin më të afërt policor.