KORÇË – Me afrimin e ditëve të ftohta, sigurimi i druve të zjarrit për ngrohje mbetet një nga shqetësimet kryesore për familjet korçare.
Çmimi këtë vit është rritur nga 4 700 në 5 000 lekë për metër sterë, duke shtuar shpenzimet familjare.
“Është shtrenjtë. Pa dru nuk e kalojmë dot dimrin. Pensionet janë të vogla. Presim të na japin diçka për Vitin e Ri. Unë, bashkë me gruan, marrim 45 mijë lekë pension në muaj”, shprehet një pensionist.
Më të prekur nga kjo situatë janë pensionistët, të cilët, për shkak të të ardhurave të kufizuara, e kanë të vështirë të përballojnë blerjen e sasisë së nevojshme të druve për të gjithë sezonin e dimrit.
“Duhen 10 metra, por unë kam marrë vetëm 6. Marr 20 mijë lekë pension. Blej ilaçe dhe ushqime, ndaj nuk ia dalim dot të përballojmë edhe shpenzimet për dru”, shprehet një tjetër pensionist.
Për shumë prej tyre, sfida nuk është vetëm sigurimi i druve për muajt e ftohtë, por edhe përballimi i shpenzimeve të tjera të përditshme. Në këto kushte, ngrohja mbetet një barrë e rëndë financiare, veçanërisht për pensionistët me të ardhura të ulëta.









Komente
Komento