Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, po bëhet gjithnjë e më e hapur. Në një video të publikuar këtë të premte, të prodhuar me inteligjencë artificiale, Veliaj ka folur për një skenar të koordinuar që, sipas tij, nisi me largimin e tij nga zyra dhe përfundoi me izolimin në qeli, ku ndodhet prej 20 muajsh.
Ndonëse nuk përmendi drejtpërdrejt emra, mesazhi i Veliajt drejtohej ndaj një figure të vetme, të cilën ai e konsideron përgjegjëse për burgosjen e tij, përpjekjet për ta shkarkuar nga detyra dhe mbajtjen e tij në paraburgim përmes vendimeve të njëpasnjëshme gjyqësore.
Deri më tani, ishte avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, ai që kishte deklaruar publikisht se klienti i tij dyshonte se SPAK e kishte arrestuar me urdhër të Edi Ramës. Ndreca kishte folur gjithashtu për një kërcënim të pretenduar nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, sipas të cilit, nëse Veliaj nuk dorëzonte zyrën dhe nuk ia kalonte detyrën Arbër Hajdarit, do të përballej me 100 vite burg.
Por në mesazhin e fundit, Veliaj duket se e çon më tej këtë akuzë, duke i vendosur në të njëjtin skenar veprimet e kryeministrit, procedurat e drejtësisë dhe vendimet që kanë mbajtur në fuqi izolimin e tij.
Në qëndrimin e tij, kryebashkiaku i Tiranës i lidh disa zhvillime që, sipas tij, nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra: arrestimin nga SPAK, mbajtjen në burg, rrëzimin e kërkesës për t'u gjykuar në liri, përpjekjet për shkarkimin e tij dhe kërkesën për delegimin e detyrës.
Duke i vendosur këto veprime në një vijë të vetme, Veliaj lë të kuptohet se pas tyre qëndron një dorë e vetme dhe një vullnet politik, të cilin ai ia atribuon Edi Ramës.
Deri tani, zërat që mbështesnin qeverinë dhe nuk e kishin braktisur Veliajn, e kishin paraqitur çështjen e tij kryesisht si një konflikt me dy prokurorë të SPAK-ut, të cilët, sipas këtij interpretimi, kishin tejkaluar kompetencat, ose si pasojë e denoncimeve nga kundërshtarë brenda vetë radhëve të tij politike.
Por, duke përfshirë në të njëjtin skenar edhe veprimet publike të Edi Ramës për zëvendësimin e tij dhe marrjen e detyrës, Veliaj e zhvendos akuzën në një nivel tjetër: nga një konflikt me organet e drejtësisë, në një përplasje të drejtpërdrejtë me kryeministrin.
Nëse interpretimi i mesazhit të tij është ky, Veliaj bëhet një nga figurat më të larta të Partisë Socialiste që e lidh drejtpërdrejt Edi Ramën me përdorimin e drejtësisë kundër aleatëve apo kundërshtarëve politikë.
Pretendimi se kryeministri përdor SPAK-un dhe gjykatat si instrumente për eliminimin e kundërshtarëve politikë është artikuluar më herët nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, nga Ilir Meta dhe Partia e Lirisë, si dhe nga Arben Ahmetaj pas përplasjes së tij me kryeministrin dhe heqjes së imunitetit.
Megjithatë, akuzat e Veliajt kanë një peshë të veçantë politike, pasi vijnë nga një figurë që ka qenë pjesë e kupolës drejtuese të Partisë Socialiste dhe që tashmë e vendos Edi Ramën në qendër të përgjegjësisë për atë që e konsideron një skenar të organizuar kundër tij.
© SYRI.net