Sadete dhe Gazmir Fiku, bashkëshortja dhe djali i 61-vjeçarit Urim Fiku, i cili u gjet i vdekur në banesën e tij në fshatin Godvi të Bulqizës, kanë dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Të dy akuzohen për vrasjen e kryefamiljarit, por kanë mohuar përfshirjen në ngjarje dhe kanë qëndruar në versionin se 61-vjeçari është sulmuar nga një ari dhe më pas ka qëlluar veten me armë zjarri.
Sipas pretendimeve të tyre para autoriteteve, Urim Fiku ishte kthyer në shtëpi i gjakosur dhe me plagë të rënda, pasi ishte sulmuar nga kafsha e egër në pyll. Pasi kishte hyrë në banesë, ai kishte marrë një pistoletë dhe kishte qëlluar veten në gjoks.
Bashkëshortja e tij ka deklaruar se pas të shtënës kishte njoftuar ambulancën. Ndërsa Gazmir Fiku ka mohuar se ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes, duke pretenduar se ishte në punë pranë OSHEE-së në Bulqizë.
Nënë e bir kanë deklaruar gjithashtu se Urim Fiku vendoste leqe në pyll për të kapur kafshë të egra, kryesisht derra të egër, duke e lidhur këtë veprimtari me mundësinë e sulmit nga ariu.
Megjithatë, versioni i tyre nuk e ka bindur gjykatën, e cila në përfundim të seancës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për të dy të akuzuarit.
Pritet që aktet e ekspertimit mjekoligjor dhe analizat e Policisë Shkencore të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të vdekjes së 61-vjeçarit dhe të përcaktojnë nëse plagët e tij janë shkaktuar nga sulmi i një kafshe apo nga veprime të tjera.

