Pas gjashtë vitesh në arrati, 43-vjeçari shqiptar Nikolin Pali është arrestuar në Athinë nga forcat speciale greke EKAM. Ai kërkohej për vrasjen e dyfishtë të ish-partneres së tij, një 43-vjeçareje ukrainase, dhe të një 42-vjeçari, të cilët u gjetën të vrarë në tetor të vitit 2020 në Korinth. Gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se ka përdorur dokumente identiteti të falsifikuara për t’iu shmangur policisë.
Arrestimi u krye në zonën e Patisionit, pas një operacioni të koordinuar dhe kontrollit të banesës ku ai qëndronte. Gjatë bastisjes, policia sekuestroi një pistoletë, dy granata dore, dy mekanizma ndezës, tri palë pranga dhe një leje qëndrimi të falsifikuar.
Sipas autoriteteve greke, Pali rezulton gjithashtu i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, për akuzën e vjedhjes me armë në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Bashkë me të u arrestua edhe partnerja e tij 41-vjeçare, shqiptare, e dyshuar për përkrahje të autorit të krimit.
Policia greke po verifikon edhe informacione se 43-vjeçari mund të ishte duke përgatitur një tjetër sulm. Gjatë ndërhyrjes, ai nuk pati mundësi të përdorte armën apo granatat që iu gjetën në banesë.
Ngjarja për të cilën Pali ishte dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme ndodhi në tetor të vitit 2020, në zonën e Flambouros, në Korinth. Viktimat ishin ish-partnerja e tij, 43 vjeçe, dhe një farmacist 42-vjeçar, që dyshohej se ishte në një lidhje me të.
Sipas dosjes hetimore, Pali dyshohet se kishte hyrë në banesë duke përdorur një çelës rezervë, në një moment kur çifti po konsumonte verë në oborr. Ai i kishte sulmuar të dy me sëpatë. Gruaja mori disa goditje në kokë dhe një plagë fatale në arterien karotide, ndërsa 42-vjeçari u godit në kokë dhe në zemër.
Pas krimit, autori dyshohet se u mori telefonat celularë viktimave dhe u zhduk. Për vite me radhë, autoritetet e kërkuan në Athinë, Mykonos dhe Shqipëri, por pa arritur ta lokalizonin.
Sipas burimeve policore greke, gjatë periudhës në arrati ai jetonte i izoluar dhe largohej nga banesa vetëm për të kryer detyra të caktuara. Hetuesit dyshojnë se mund të ketë vepruar si vrasës me pagesë dhe po verifikojnë nëse ka lidhje me vrasje të tjera të ndodhura në Greqi gjatë viteve të fundit.


