Themeluesi i “Shtetit të Meshkujve” mohon çdo përfshirje në kërcënimet e rreme me bomba në aeroportet evropiane

6 Nëntor 2026 | 18:25

Themeluesi i organizatës ruse “Shteti i Meshkujve”, e ndaluar në vitin 2021 për ekstremizëm, ka mohuar çdo lidhje me valën e kërcënimeve të rreme me bomba që kanë shënjestruar aeroporte në Evropë.

Disa prej aeroporteve të prekura, përfshirë ato në Birmingham, Romë dhe Sofje, kishin marrë mesazhe të nënshkruara në emër të luftëtarëve të dyshuar të kësaj lëvizjeje.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, themeluesi i organizatës, Vladislav Pozdnyakov, deklaroi në Telegram se lëvizja nuk ekziston më që prej vitit 2021, kur u ndalua nga autoritetet ruse.

“Ata që aktualisht po organizojnë provokime në territorin e vendeve të Bashkimit Evropian, në emër të kësaj lëvizjeje, po veprojnë në interesin e tyre, duke përdorur thjesht një flamur që nuk është i tyre”, shkroi ai.

Pozdnyakov shtoi se nuk ishte veçanërisht i shqetësuar për sigurinë apo ekonominë e Evropës, por se po u përgjigjej gazetarëve evropianë.

Kërcënimet e rreme me bomba kanë ndërprerë për ditë me radhë trafikun ajror në Evropë, duke shkaktuar vonesa dhe, në disa raste, duke detyruar avionë luftarakë të ngrihen për të shoqëruar avionë civilë.

Këto incidente konsiderohen pjesë e një tendence më të gjerë të sulmeve hibride në Evropë. Disa prej tyre janë lidhur nga autoritetet dhe hetuesit me Rusinë dhe, në raste të tjera, me Iranin.

“Shteti i Meshkujve” u themelua në vitin 2016 nga Vladislav Pozdnyakov, bloger dhe trajner, fillimisht si një komunitet në rrjetin social rus VK. Më vonë, lëvizja mori edhe një dimension politik, me një ideologji që ndërthurte mizogjininë dhe nacionalizmin.

Organizata, e cila nuk arriti të krijonte një numër të konsiderueshëm ndjekësish, u bë e njohur kryesisht për fushatat e ngacmimit në internet, përpara se të shpallej ekstremiste dhe të ndalohej nga autoritetet ruse në vitin 2021.

Sipas raportimeve të mediave, lëvizja vijoi të ekzistonte në internet dhe u shndërrua në një komunitet që mbështeti pushtimin rus të Ukrainës, të nisur në vitin 2022.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tragjedi në Gjermani! Avioni rrëzohet mbi autostradë dhe përfshihet nga flakët, dy persona humbin jetën

Një aksident tragjik ajror ka ndodhur pasditen e kësaj të premteje në Gjermani, ku një avion i vogël është rrëzuar mbi autostradën A2, në verilindje...
18:24 | 06/11/2026

Kallas: Putin nuk ka të drejtë vetoje mbi sigurinë e Evropës

Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka të drejtë të vërë veton në çështjet e sigurisë evropiane....
18:20 | 06/11/2026

Autoritetet evropiane në gatishmëri pas kërcënimeve të rreme për bomba në avionë

Një valë e re kërcënimesh të rreme për bomba në avionë ka shkaktuar shqetësim te autoritetet evropiane. Vetëm të premten, më 6 nëntor, janë regjistruar...
18:17 | 06/11/2026