Fundjava do të sjellë mot të qëndrueshëm dhe temperatura relativisht të ngrohta në të gjithë vendin, por kjo situatë pritet të ndryshojë në fillim të javës së ardhshme, kur reshjet e shiut dhe shtrëngatat do të rikthehen në disa zona.
Sipas sinoptikanes Elida Maloçali nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, gjatë së shtunës dhe së dielës do të mbizotërojë moti i kthjellët, me orë të shumta me diell. Vranësira të pakta dhe kalimtare mund të shfaqen kryesisht në zonat malore.
Temperaturat gjatë fundjavës parashikohen të luhaten nga 4 deri në 22 gradë Celsius, ndërsa era do të fryjë nga jugu me shpejtësi deri në 8 m/s. Në det pritet valëzim i dobët, i forcës 1-2 ballë.
Ndryshimi i motit do të nisë të hënën, kur vranësirat do të shtohen dhe reshjet e shiut do të përfshijnë vendin që në orët e para të ditës. Në pjesën më të madhe të territorit ato do të jenë me intensitet të ulët, ndërsa në zonat qendrore dhe jugore priten shtrëngata afatshkurtra, të shoqëruara herë pas here me shkarkesa elektrike.
Një tjetër element që do të shoqërojë përkeqësimin e motit do të jetë era, e cila pritet të arrijë shpejtësinë deri në 19 m/s. Për pasojë, në det parashikohet valëzim i forcës 3-5 ballë.
Të martën kushtet atmosferike do të përmirësohen përkohësisht, por qetësia nuk do të zgjasë. Reshjet pritet të rikthehen të mërkurën, duke përfshirë sërish pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në qendër dhe në jug do të shoqërohen me shtrëngata dhe shkarkesa elektrike.
Në ditët në vijim temperaturat minimale do të pësojnë një rritje të lehtë, ndërsa vlerat termike parashikohen të luhaten nga 7 deri në 23-24 gradë Celsius.













