Dy persona kanë humbur jetën dhe të paktën një tjetër ka mbetur i plagosur pas rrëzimit të një avioni të vogël në një zonë të banuar në qytetin Limburgerhof, në jugperëndim të Gjermanisë. Sipas dëshmive paraprake, avioni dyshohet se shpërtheu në ajër përpara se të përplasej në tokë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 11:30, më 16 maj, ndërsa lajmi u raportua nga transmetuesi publik gjerman SWR. Zëdhënësi i policisë, Thorsten Mischler, konfirmoi se dy personat që ndodheshin në bord humbën jetën.
Dëshmitarët okularë kanë deklaruar se avioni preku fillimisht një banesë dhe më pas u rrëzua. Mbetjet e tij u shpërndanë në një zonë të gjerë përreth vendit të ngjarjes, duke shkaktuar alarm te banorët.
Në zonë mbërritën forca të shumta policie dhe ekipet e emergjencës, ndërsa autoritetet e rrethuan vendin për të garantuar sigurinë dhe për të lehtësuar hetimet. Një helikopter policie kreu gjithashtu fotografime nga ajri për të dokumentuar vendin e aksidentit.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit dhe rrethanat që çuan në këtë tragjedi.


