Sekretet bien në “Grep të artë”. Komedia e Bashkim Hoxhës premierë në Durrës

06/11/2026 18:32

Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës solli mbrëmjen e kaluar premierën e komedisë “Grepi i artë”, një vepër e autorit Bashkim Hoxha, me regji të Najada Elmazit.

E frymëzuar nga realiteti shqiptar, përmes humorit, dashurisë dhe intrigave, shfaqja vë në lojë marrëdhëniet njerëzore, ambicien për pushtet dhe përpjekjet për të ruajtur imazhin publik. Dyshimet për tradhti, përgjimet, kamerat e fshehta dhe sekretet personale ndërtojnë një rrjet situatash komike, ku askush nuk është aq i pafajshëm sa duket.

Komedia vjen në skenë si premierë, 50 vjet pas shfaqjes së parë të një drame të gazetarit dhe shkrimtarit Bashkim Hoxha.

Publiku ndoqi me interes dhe duartrokiti komedinë ku humori ndërthuret me të papriturat, ndërsa dyfytyrësia përfundon në grepin e së vërtetës. Pas premierës, komedia do të vijojë të ngjitet në skenë edhe për 4 mbrëmjet në vazhdim, në sallën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës, pasi Godina e teatrit është ende në rikonstruksion.

Top Channel