Alarm për bomba në dhjetëra aeroplanë në Evropë - çfarë po ndodh?

Numri i kërcënimeve për bomba ndaj avionëve në Evropë është rritur ndjeshëm gjatë kësaj jave, duke shkaktuar devijime fluturimesh, ulje emergjente dhe masa të shtuara sigurie në disa aeroporte.
Incidentet vijnë në një kohë kur Evropa është përballur gjatë këtij viti edhe me një sërë sulmesh sabotazhi ndaj objektivave të ndryshëm, nga infrastruktura e lidhur me mbrojtjen në rajonin e Baltikut deri te një incident me dronë në aeroportin e Lajpcigut, në Gjermani.
Gjithashtu, hakerë kanë shënjestruar frigoriferë dhe ngrirës në supermarkete në disa vende evropiane, duke shkaktuar rritjen e temperaturave dhe prishjen e produkteve ushqimore.
Deri më tani, asnjë pajisje shpërthyese nuk është gjetur dhe asnjë nga kërcënimet nuk është konkretizuar.
Megjithatë, shtimi i incidenteve ka ngritur shqetësime për sigurinë ajrore.
E hënë
Një avion i kompanisë Wizz Air, që fluturonte nga Londra drejt Sofjes, u detyrua të devijohej për në Budapest pas marrjes së një kërcënimi për bombë.
Avionët luftarakë hungarezë e shoqëruan atë deri në uljen e sigurt, ndërsa kontrollet e mëvonshme nuk zbuluan asnjë pajisje shpërthyese.
E martë
Të paktën shtatë fluturime drejt destinacioneve të ndryshme evropiane raportuan kërcënime për bomba, përfshirë dy avionë që ishin nisur nga Britania e Madhe.
Aeroporti i Varshavës u mbyll përkohësisht pasi një avion i LOT, që vinte nga Heathrow me 181 persona në bord, raportoi një alarm për bombë.
Një avion i Ryanair, i nisur nga Mançesteri, bëri ulje emergjente në Murcia të Spanjës. Ndër qytetet e tjera të prekura ishin edhe Sofja dhe Roma.
E enjte
Situata u përshkallëzua më tej, me dhjetëra fluturime mes aeroporteve të ndryshme ndërkombëtare, nga Irlanda deri në Finlandë, që raportuan kërcënime për bomba.
Një avion i Ryanair, që fluturonte nga Londra drejt Sofjes, u devijua në një aeroport tjetër në Bullgari.
Ndërsa një avion i Aer Lingus, në linjën Dublin-Romë, u detyrua të ulej në Normandi të Francës.
Për arsye sigurie, ai u dërgua në një bazë ajrore ushtarake në Evreux.
Sekretari britanik i Transportit i cilësoi incidentet si “kërcënime të rreme dhe keqdashëse”, ndërsa aeroporti Heathrow deklaroi se kërcënimi nuk ishte konsideruar i besueshëm.
Megjithatë, Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) u ka bërë thirrje autoriteteve kombëtare që të zbulojnë origjinën e këtyre kërcënimeve.
Shtimi i alarmeve ka rikthyer vëmendjen te siguria e aviacionit në Evropë, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse incidentet kanë lidhje mes tyre. /Telegrafi/






































