Prokurori federal amerikan Jason Reding Quiñones ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij në Distriktin Jugor të Floridës, ku kishte mbikëqyrur hetime që lidhen me çështjet penale të presidentit Donald Trump. Largimi i tij vjen pas zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat republikanët humbën kontrollin e Kongresit, dhe shënon një tjetër largim të rëndësishëm nga Departamenti i Drejtësisë.
Dorëheqja u bë e ditur të premten nga Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche. Sipas raportimeve të Reuters dhe mediave amerikane, në të njëjtën ditë dha dorëheqjen edhe John Eisenberg, drejtuesi i Divizionit të Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë. Një ditë më parë ishte larguar edhe Harmeet Dhillon, e cila drejtonte Divizionin për të Drejtat Civile.
Quiñones ishte emëruar nga Trump dhe konfirmuar nga Senati në vitin 2025. Si prokuror federal për Distriktin Jugor të Floridës, ai ishte përfshirë në një hetim të gjerë dhe të debatueshëm, të njohur si hetimi për “komplotin e madh”, që synonte të shqyrtonte nëse zyrtarë të administratave të mëparshme dhe pjesëtarë të komunitetit të inteligjencës kishin bashkëpunuar për të cenuar të drejtat civile të Trumpit, duke nisur nga fushata presidenciale e vitit 2016.
Hetimi kishte përfshirë thirrjen për dëshmi dhe kërkesa për dokumente ndaj figurave të njohura, mes tyre ish-drejtuesi i CIA-s, John Brennan, dhe ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper. Megjithatë, deri më tani, ai nuk ka çuar në ngritjen e akuzave të gjera penale. Sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, mungesa e rezultateve kishte shkaktuar pakënaqësi te Trump dhe drejtues të lartë të Departamentit të Drejtësisë.
Sipas raportimeve, largimi i Quiñones ishte pritur prej javësh. Burime të cituara nga mediat amerikane bëjnë të ditur se drejtuesit e Departamentit të Drejtësisë kishin shprehur privatisht pakënaqësi për ecurinë e ngadaltë të hetimit dhe udhëtimet e tij të shpeshta drejt Uashingtonit. Megjithatë, nuk është bërë e ditur nëse këto shqetësime kanë qenë shkaku i drejtpërdrejtë i dorëheqjes.
Përmes një mesazhi në rrjetin social X, Quiñones konfirmoi se largimi i tij hynte në fuqi të premten, duke e cilësuar shërbimin në këtë detyrë si një nder. Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche e falënderoi për punën, duke vlerësuar drejtimin e tij në luftën kundër krimit të dhunshëm, trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore, si dhe krimit ndërkombëtar.
Gjatë drejtimit të tij, zyra e prokurorit në Florida ishte përfshirë edhe në një çështje me rëndësi të veçantë politike: ngritjen e akuzave penale ndaj ish-presidentit kuban Raúl Castro dhe pesë zyrtarëve të tjerë kubanë, lidhur me rrëzimin e dy avionëve civilë amerikanë në vitin 1996, ku humbën jetën katër persona.
Dorëheqjet e njëpasnjëshme vijnë në një moment delikat për Departamentin e Drejtësisë, pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit. Largimi i drejtuesve të disa prej strukturave kryesore ngre pikëpyetje për të ardhmen e hetimeve që administrata Trump kishte vendosur në qendër të agjendës së saj, veçanërisht atyre që lidhen me kundërshtarët politikë të presidentit.


