Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin “SYRI DIGJITAL” në SYRI TV, me moderator Bled Marku, ka komentuar protestën dhe përplasjet mes grupeve të ndryshme që marrin pjesë në të.
Alimehmeti tha se në shesh janë të pranishëm qytetarë me kauza dhe shqetësime të ndryshme, por sipas tij, emëruesi i përbashkët duhet të jetë largimi i Edi Ramës nga pushteti. Ai theksoi se nuk duhet të ketë një garë se kush përfaqëson opozitën, por një përpjekje të përbashkët për të arritur këtë objektiv.
Ai sugjeroi që protestuesit të mblidhen drejtpërdrejt në të njëjtin vend, në mënyrë që të shmanget perceptimi i dy tubimeve të ndara dhe të forcohet bashkimi i kauzave. Sipas tij, demokratët kanë qenë vazhdimisht të pranishëm në protestë, duke ofruar mbështetje fizike, juridike, mediatike dhe ndërkombëtare.
Alimehmeti argumentoi se Partia Demokratike ka shumicën numerike në shesh dhe se mobilizimi më i madh i saj do të shmangte ndikimin e grupeve të vogla.
‘Sheshi i ka të gjitha. Ju e përmendët se duhet të ketë një bashkim kauzash, sepse ka kauza të ndryshme dhe njerëzit që dalin aty protestojnë për arsye të ndryshme. Por emëruesi i përbashkët është largimi i Edi Ramës, i cili i nxjerr në pah të gjitha këto kauza.
Patjetër që ka edhe njerëz që infiltrohen për t’i përçarë këto kauza dhe protestuesit, sepse është shumë e qartë se ku çon kjo forcë, ky bashkim forcash. Ka rryma që nuk janë të interesuara për bashkimin e këtyre forcave dhe qytetarëve, përveçse vetë Edi Ramës, dhe tentojnë të krijojnë situata të këtij tipi. Patjetër, janë situata që do të ishte më mirë të mos ndodhnin, por ja që ndodhin.
Po, është e vërtetë. Edhe gjatë muajve të kaluar, herë pas here dëgjoheshin thirrje të tilla si: ‘Ne jemi opozita’, e të tjera. Unë nuk mendoj se këtu duhet të bëhet një garë se kush është opozita. Këtu duhet të bëhet një luftë e përbashkët për të larguar Edi Ramën. Ky është objektivi që, sipas meje, duhet të ketë gjithsecili.
Nuk ka dyshime, këto janë fakte. Por të jemi të qartë: ky shesh ka interesa të llojeve të ndryshme. Ju e dini se grupet më të vogla shpesh janë edhe më të zhurmshmet. Në këtë aspekt, ju më pyetët pak më parë se cilat mund të ishin disa nga mundësitë për t’i diskutuar këto.
Një nga mundësitë është që ne kemi qenë gjithmonë në mbështetje të protestuesve. Kemi qenë gjithmonë pranë tyre, madje edhe në mbrojtje të tyre, siç e dini, qoftë në aspektin fizik, qoftë në atë juridik. I kemi mbështetur në të gjitha aspektet, edhe në atë mediatik dhe në arenën ndërkombëtare, përmes të gjitha kanaleve.
Prandaj, është krejtësisht e natyrshme që ne të mund të shkonim drejtpërdrejt atje, në mënyrë që protestuesit të mblidheshin në të njëjtin vend, pa nisur diku dhe pa përfunduar diku tjetër. Kështu do të shmangej përshtypja se kemi të bëjmë me dy gjëra të ndara, nëse dëshirojmë që kjo të jetë pikërisht një kauzë e përbashkët.
Kjo do të ishte një zgjidhje e natyrshme, ashtu siç kemi vepruar edhe në muajt e tjerë. Ky ka qenë realiteti: shumë demokratë, sidomos në Tiranë, por edhe nga të gjitha rrethet, kanë qenë të pranishëm, kanë ardhur dhe kanë mbështetur protestën. Të jemi të drejtë, shumica dërrmuese kanë qenë demokratë, edhe gjatë muajve të verës, në të gjithë muajt e nxehtë. Ky është realiteti.
Në një protestë, numrat e mëdhenj dominojnë. Nuk mundet që thirrjet e 50 vetëve të mos dominohen nga 5 mijë vetë. Pra, është çështje numrash, është kaq e thjeshtë. Numrat i ka...
Po si mund të largohet Partia më e madhe? Përmes mobilizimit dhe organizimit të saj, ashtu siç ka bërë gjithmonë, por në nivelin e duhur. Është automatike, siç jua thashë pak më parë: 50 vetë nuk mund të largojnë 5 mijë vetë. Është thjesht e pamundur nga pikëpamja numerike. Janë numrat ata që mund ta ndryshojnë menjëherë ecurinë e kësaj situate.
Pra, nevojitet një mobilizim dhe organizim në një nivel më të lartë, ndoshta edhe më shumë frymëzim. Por nuk diskutohet që, për sa u përket numrave, ata janë në favor të Partisë Demokratike dhe jo të atyre pak përçarësve.
Edhe forcat e tjera politike që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike nuk janë ato që po tentojnë të largojnë Partinë Demokratike. Jua thashë: kanë kaluar tashmë shumë muaj që unë, shumë kolegë të tjerë dhe shumë demokratë jemi të pranishëm në shesh dhe e shohim vetë realitetin.
Bëhet fjalë për numrat e një force të vogël politike, e cila renditet e pesta apo e gjashta për nga numri i mbështetësve. Nuk ia vlen të diskutojmë më për ta. Pastaj është edhe një pjesë tjetër, që sipas tij, janë të infiltruar. Ju i keni parë dhe i keni publikuar me video rastet kur njerëz nga Ministria e Brendshme dalin të veshur si protestues, me thirrje kundër Ramës, duke u paraqitur si pjesë e turmës dhe duke u futur mes protestuesve për të krijuar skenarë të ndryshëm.
Një nga këta skenarë, sipas tij, ka qenë djegia e bizneseve private apo e ambienteve të tjera. Një tjetër ka qenë sulmi ndaj deputetëve të opozitës, në momentet kur kjo ka qenë e mundur.
Pra, kemi të bëjmë me situata që janë jashtë logjikës normale të asaj që do të pritej nga një protestë qytetare. Ka edhe një armik të brendshëm. Kështu që është shumë e thjeshtë ta kuptojmë këtë situatë.
Disa kanë interesa të caktuara politike, personale apo individuale dhe nuk e kanë ngritur veten në nivelin e interesit publik, duke mbetur te interesat e tyre. Ndërsa të tjerë, patjetër, janë futur aty nga regjimi, të kamufluar mes protestuesve. Është e vështirë të bësh dallimin dhe kjo krijon situata ku përfundojmë duke u përplasur me njëri-tjetrin, me synimin për të krijuar dy kampe të ndara.’, u shpreh Ilir Alimehmeti në SYRI TV.
© SYRI.net