Gjenden të vdekur në shtrat nëna dhe djali 6-vjeçar, arrestohet ish-partneri i saj brazilian, dyshohet se janë mbytur
Edhe pse jemi vetëm në fillim të nëntorit, atmosfera e Krishtlindjeve ka nisur të ndihet në disa prej qyteteve më të bukura të Evropës.
Sheshet historike po ndriçohen nga mijëra drita, shtëpitë prej druri po mbushen me ëmbëlsira tradicionale dhe dhurata të punuara me dorë, ndërsa aroma e verës së ngrohtë dhe erëzave karakteristike paralajmëron nisjen e sezonit më festiv të vitit.
Tregjet e para të Krishtlindjeve kanë nisur të hapen që më 5 nëntor, me Birmingamin që i parapriu sezonit, ndërsa Vjena i hap dyert më 6 nëntor.
Gazeta britanike “The Independent” ka përzgjedhur 10 nga tregjet më mbresëlënëse të Krishtlindjeve në Evropë për vitin 2026, duke përfshirë destinacione të njohura në Gjermani, Austri, Francë, Belgjikë dhe vende të tjera, ku tradita, dekorimet dhe atmosfera festive krijojnë një përvojë të veçantë për vizitorët.
1. Birmingham, Britani – 5 nëntor

Birmingami është qyteti i parë që ka çelur sezonin e tregjeve të Krishtlindjeve, me hapjen e tregut të famshëm të Frankfurtit, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 24 dhjetor.
Sheshi Victoria është shndërruar në një cep të vogël gjerman, duke mirëpritur tregun më të madh gjerman të Krishtlindjeve jashtë Gjermanisë dhe Austrisë. Vizitorët mund të shijojnë specialitete tradicionale si bratwursti, shniceli, vera e ngrohtë dhe ushqime të tjera dimërore.
Ndërkohë, në Sheshin e Katedrales janë vendosur rreth 50 tezga, ku ofrohen dhurata të punuara me dorë dhe produkte të ndryshme festive.
2. Vjenë, Austri – 6 nëntor

Kryeqyteti austriak nis festimet më 6 nëntor, me tregun e Krishtlindjeve përpara Pallatit madhështor Schönbrunn, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 6 janar 2027.
Më shumë se një duzinë tregjesh do ta shndërrojnë Vjenën në një skenë të vërtetë festive. Vizitorët mund të shëtisin mes shtëpizave prej druri të zbukuruara, të shijojnë specialitetet tradicionale austriake dhe të blejnë dhurata në tregun historik Freyung.
Ndër destinacionet më të veçanta janë edhe Fshati i Krishtlindjeve në Sheshin Maria Tereza dhe pista e akullit Vienna Ice World.
3. Budapest, Hungari – 13 nëntor

Budapesti është një tjetër kryeqytet evropian që e nis herët atmosferën e Krishtlindjeve. Tregjet e tij hapen më 13 nëntor dhe do të vijojnë deri në ditën e Vitit të Ri.
Sheshi Vörösmarty mbushet me shtëpiza prej druri, produkte tradicionale dhe ushqime festive, ndërsa një tjetër treg i rëndësishëm organizohet përpara Bazilikës së Shën Stefanit, ku vizitorët mund të shijojnë edhe një pistë patinazhi.
Vëmendje e veçantë i kushtohet artizanatit tradicional dhe dhuratave të punuara me dorë. Ndërkohë, aroma e kanellës që vjen nga ëmbëlsirat e famshme të oxhakut përhapet në rrugët e qytetit.
4. Kopenhagen, Danimarkë – 13 nëntor

Po më 13 nëntor, festimet nisin edhe në Kopenhagen, ku Kopshtet historike Tivoli shndërrohen në një nga destinacionet më tërheqëse të sezonit festiv. Tregu do të qëndrojë i hapur deri më 3 janar 2027.
Parku i famshëm i argëtimit zbukurohet me mijëra drita, tezga festive dhe aktivitete të ndryshme, ndërsa vizitorët mund të shijojnë edhe patinazhin në akull.
Një nga momentet më të veçanta është parada tradicionale e Shën Luçisë, më 13 dhjetor, kur kajakët e ndriçuar përshkojnë kanalet e qytetit, duke krijuar një spektakël të veçantë.
5. Lille, Francë – 18 nëntor

Në veri të Francës, qyteti i Lille-s hap tregun e Krishtlindjeve më 18 nëntor, me festimet që do të zgjasin deri më 30 dhjetor.
Sheshi Rihour mbushet me shtëpiza tradicionale prej druri, ku tregtarët ofrojnë lodra, dhurata dhe specialitete franceze, si tartiflette me djathë të shkrirë dhe vafla me çokollatë.
Në Grand-Place, një rrotë gjigante panoramike dominon peizazhin festiv. Ndërsa çdo të premte, në orën 18:00, tregu gjallërohet nga muzika, artistët mbi shtylla të ndriçuara dhe shfaqjet festive.
6. Brugge, Belgjikë – 20 nëntor

Qyteti mesjetar i Brugge-s shndërrohet në një përrallë të vërtetë dimërore nga 20 nëntori deri më 3 janar 2027, në kuadër të aktivitetit “Winter Glow”.
Ndërtesat historike ndriçohen nga mijëra drita, ndërsa sheshet Markt dhe Simon Stevinplein mbushen me tezga ku ofrohen produkte artizanale, ushqime tradicionale dhe pije të ngrohta.
Kanalet piktoreske dhe arkitektura karakteristike e qytetit plotësojnë atmosferën, duke e bërë Brugge-n një prej destinacioneve më romantike për të përjetuar Krishtlindjet në Evropë.
7. Berlin, Gjermani – 23 nëntor

Berlini ofron një përzgjedhje të jashtëzakonshme për adhuruesit e tregjeve të Krishtlindjeve, me më shumë se 80 të tilla të shpërndara në lagje të ndryshme të qytetit.
Një pjesë e tyre do të qëndrojnë të hapura deri në fund të dhjetorit, ndërsa ndër më të njohurit është tregu në lagjen historike Spandau, në pjesën perëndimore të kryeqytetit gjerman.
Në Gendarmenmarkt vizitorët mund të përjetojnë atmosferën tradicionale të Krishtlindjeve gjermane, ndërsa Alexanderplatz ofron një përvojë ndryshe, me treg mesjetar, karusel tradicional dhe aktivitete të tjera festive.
8. Bazel, Zvicër – 26 nëntor

Bazel i bashkohet atmosferës festive më 26 nëntor, me tregun e Krishtlindjeve që do të qëndrojë i hapur deri më 23 dhjetor.
Rreth 155 tezga vendosen në sheshet Münsterplatz dhe Barfüsserplatz, duke ofruar dhurata tradicionale, dekorime për pemën e Krishtlindjeve dhe specialitete zvicerane, si raclette me djathë të shkrirë dhe salçiçe.
Vizitorët mund të shijojnë gjithashtu pamjen e qytetit të ndriçuar, veçanërisht nga zona e Katedrales dhe Kulla e Shën Martinit.
9. Strasburg, Francë – 27 nëntor

I cilësuar si “kryeqyteti i Krishtlindjeve”, Strasburgu përgatitet të hapë tregun e tij të famshëm më 27 nëntor, me festimet që do të zgjasin deri më 24 dhjetor.
Qyteti francez është i njohur për një nga tregjet më të vjetra dhe më të mëdha të Krishtlindjeve në vend. Rreth 100 tezga vendosen në Place de Broglie, ndërsa zona përreth katedrales madhështore ofron një shumëllojshmëri specialitetesh tradicionale të rajonit të Alsasës.
Arkitektura historike, dekorimet dhe ndriçimi festiv e bëjnë Strasburgun një prej destinacioneve më të kërkuara gjatë kësaj periudhe të vitit.
10. Zagreb, Kroaci – 28 nëntor

Dhjetëshen e tregjeve më mbresëlënëse e plotëson Zagrebi, ku festimet nisin më 28 nëntor dhe do të zgjasin deri më 7 janar 2027.
Të paktën një duzinë tregjesh do të vendosen në sheshe, parqe, rrugë këmbësorësh dhe galeri nëntokësore, duke e shndërruar kryeqytetin kroat në një fshat të madh festiv.
Me dekorimet shumëngjyrëshe, aktivitetet dhe ofertën e pasur të produkteve tradicionale, Zagrebi pritet të jetë një tjetër pikë tërheqëse për turistët që duan të përjetojnë magjinë e Krishtlindjeve në Evropë.
Top Channel