Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin, ku një avokate 29-vjeçare dhe djali i saj 6-vjeçar janë gjetur të pajetë në apartamentin ku banonin, në qytetin Cotia, pranë Sao Paulos. Trupat e tyre u zbuluan të mbrëmjen e 3 nëntorit, të shtrirë pranë njëri-tjetrit në shtratin bashkëshortor.

Viktimat janë identifikuar si Anna Gabriela Faria Lima dhe djali i saj, Raphael. Dyshimet paraprake janë se ata kanë humbur jetën nga asfiksia, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Policia nisi kërkimet pasi familjarët raportuan zhdukjen e nënës dhe të birit, me të cilët nuk kishin mundur të komunikonin që prej së dielës.

Në qendër të hetimeve është ish-partneri i 29-vjeçares, biznesmeni 41-vjeçar Eric Conrado Alves de Almeida, i cili është arrestuar nga autoritetet braziliane.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se ai hyri në kompleksin e banimit së bashku me Anna Gabrielën dhe djalin e saj rreth orës 21:40 të së dielës. Rreth orës 02:15 të mëngjesit të së hënës, ai u largua i vetëm. Sipas hetuesve, gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar hyrja apo dalja e personave të tjerë.

Policia dyshon se krimi mund të jetë kryer gjatë orëve që biznesmeni qëndroi në apartament. Gjithashtu, po verifikohet mundësia që banesa të jetë pastruar përpara largimit të tij.

Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe një histori të dyshuar konfliktesh mes ish-partnerëve, me pretendime për kërcënime, përndjekje dhe sjellje kontrolluese. Të afërm dhe persona të njohur të çiftit kanë dëshmuar për episode të mëparshme dhune ndaj 29-vjeçares.

Çështja po hetohet si femicid dhe vrasje e fëmijës me qëllim shkaktimin e vuajtjes te nëna, një formë dhune e njohur si vrasje zëvendësuese (vicaricide).

Biznesmeni është lënë në paraburgim të përkohshëm për 30 ditë, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e ngjarjes.