Melania Trump ngatërrohet gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë, vështirësi në shqiptimin e disa fjalëve në anglisht
Melania Trump ka hasur vështirësi në shqiptimin e disa fjalëve në gjuhën angleze gjatë një fjalimi që mbajti të enjten në Shtëpinë e Bardhë.
Zonja e parë e SHBA-së, 56 vjeçe, u takua me përfaqësues rusë dhe ukrainas, me ç’rast bëri thirrje për vazhdimin e armëpushimit në Ukrainë, pas një marrëveshjeje gjashtëditore për ndërprerjen e luftimeve në rajonin e Hersonit.
Gjatë deklaratës për mediat, Melania po lexonte një fjalim të përgatitur paraprakisht, por në disa raste pati vështirësi me shqiptimin e fjalëve në anglisht.
Fillimisht, ajo u ngatërrua gjatë shqiptimit të fjalës “objective”, që në shqip do të thotë “objektiv” ose “qëllim”.
“Obj-objektivi ynë i përbashkët ishte të siguronim ndihmë thelbësore humanitare për banorët e Oleshkit dhe të krijonim korridore të sigurta për evakuimin e civilëve”, u shpreh ajo.
Pak më vonë, Melania pati vështirësi edhe me fjalën “exclusive”, që në shqip përkthehet “ekskluziv” ose “i posaçëm”.
“Roli im si ndërmjetëse eks-ekskluzive është dokumentuar në marrëveshjet me shkrim, të hartuara dhe të nënshkruara nga Rusia dhe Ukraina. Marc [Beckman] dhe unë e nisëm punën përmes kanaleve të komunikimit që kishim krijuar më herët, me qëllim bashkimin e fëmijëve me familjet e tyre në Rusi dhe Ukrainë”, deklaroi ajo.
Melania Trump is struggling to read her prepared statement https://t.co/0CgE9umRNW
— Aaron Rupar (@atrupar) November 5, 2026
Pamjet nga fjalimi i saj u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Gazetari Aaron Rupar publikoi videon në platformën X, duke e shoqëruar me komentin: “Melania Trump po has vështirësi në leximin e një deklarate të përgatitur paraprakisht”.
Pas publikimit, reagimet e përdoruesve nuk vonuan. Një pjesë e tyre e kritikuan dhe e vunë në lojë mënyrën se si ajo shqiptoi disa nga fjalët.
“Nëse do të ishte dikush tjetër, mbështetësit e lëvizjes MAGA do të bërtisnin: ‘Pse nuk flet amerikanisht?’”, shkroi një përdorues.
“Pas më shumë se 30 vjetësh në SHBA, ende nuk arrin të shqiptojë siç duhet shprehjet në anglisht apo të flasë rrjedhshëm. Po të ishte një grua me ngjyrë, do ta akuzonin për inteligjencë të ulët”, komentoi një tjetër.
Ndërkohë, një koment tjetër ironizonte: “Kafshët e egra në Australi flasin anglisht më mirë se Melania”.
Një përdorues tjetër iu referua edhe politikës amerikane, duke shkruar: “Teksasi do të bëhet shtet demokratik përpara se Melania ta mësojë anglishten”.
“Thonë se flet gjashtë gjuhë. Nuk e besoj”, ishte një tjetër koment.
Kritika pati edhe për mënyrën se si ajo e lexoi fjalimin. “Ajo thjesht po lexon nga letra. Nuk ka asnjë emocion apo autenticitet. Njësoj sikur të ishte duke lexuar një libër telefonash”, shkroi një përdorues.
Fjalimi i Melanias ishte përqendruar te situata humanitare në Ukrainë.
Gjatë armëpushimit gjashtëditor, qindra banorë të qytetit Oleshki, i cili ndodhet nën pushtimin rus, arritën të largoheshin nga zona e prekur nga mungesa e ushqimit dhe bombardimet.
“Jetët e njerëzve të pafajshëm duhet të jenë mbi ndasitë që shkakton lufta. Shpresoj që Oleshki të shërbejë si frymëzim për një paqe më të gjerë”, deklaroi zonja e parë amerikane.
Në takimin e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë morën pjesë zyrtarë të lartë rusë dhe ukrainas. Ndërkohë, përfaqësuesi i Kremlinit zhvilloi një bisedë edhe me presidentin amerikan, Donald Trump.
Pas takimit, presidenti amerikan nuk pranoi të zbulonte detaje nga diskutimet, por la të kuptohej se mund të arrihet një marrëveshje më e gjerë.
“Do të arrihet një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje e madhe, që do të përfshijë më shumë sesa vetëm Ukrainën. Madje, mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën”, deklaroi Trump. /Telegrafi/







































