Dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, rritja e punësimit për të rinjtë, programi i ri i strehimit e deri tek monitorimi i rreptë i tregjeve, janë një pjesë e politikave që do të zbatohen nga Ministria e Ekonomisë në vitin e ardhshëm, përmes një buxheti prej 42 miliardë lekë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në një intervistë në emisionin ‘Portofol’ me gazetaren Eliza Gjediku në Report Tv, liston prioritetet për vitin e ardhshëm.
“Buxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Ekonomisë dhe inovacionit është rreth 42 miliard lekë ku 70% e tij shkon për mbështetjen e sigurimeve shoqërore, pra për pensionet. Në këtë buxhet ne kemi marrë masa që të mund të reflektohen mirëqenia, pra e gjithë rritja ekonomike të mund të rishpërndahet”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.
Ministrja sqaron se fokusi për vitin 2027, do të vijojë të jetë tek pensionistët, duke iu dyfishuar bonusin që nga 1 janari.
“Në vitin 2027 ne do të dyfishojmë bonus mujor siç kishim premtuar me qëllim që të ardhurat e pensionistëve të shkojnë drejt atyre tavaneve që ne kishim përcaktuar. Pra nëse i referohemi atyre personave që kanë vite të plota pune dhe kanë një pension nën 40.000 lekë, nëse këtë vit marrin 1800 lekë të reja ose 18.000 lekë të vjetra në muaj, këtë vit ata do të marren 36.000 ALL në muaj ose 3600 lekë”, tha Ibrahimaj.
Më tej në prill do të bëhet indeksimi i ardhshëm që do ti kushtojë buxhetit të shtetit 4 miliardë lekë.
“Ne këtë vit e afruam në korrik dhe në 2027-n do fillojë të shpërndahet në muajin prill siç historikisht në fakt ka qenë e reflektuar. Ka një kosto totale prej 4 miliard lekësh”, thekson ministrja.
E pyetur për skemën e re të pensioneve, ministrja sqaron se: “Skema e pensioneve do të finalizohet gjatë vitit 2027 dhe besoj që do fillojë materializimi nga fillimi i vitit 2028”.
Prioritet për 2026-ën ministrja sqaron se do të jetë edhe monitorimi i tregjeve ushqimore por edhe i hidrokarbureve për të mos lejuar spekulimet me çmimet pas uljes së TVSH-së në 6% për ushqimet apo zhvendosjes së taksës së qarkullimit tek taksa e mjeteve.
“Garancia që ne mund të japim për qytetarin është që në radhë të parë politika fiskale në drejtim të kostos së ushqimeve u reduktua, nga 20% që ishte TVSH-ja për ushqimet bazë do të shkojë 6%, që në parim duhet të ketë një reduktim prej gati 11-12% në çmimet e ushqimeve bazë në bazë të kësaj këtij reduktimi të tatimit mbi vlerën e shtuar për këtë kategori produktesh. Ne garantojmë qytetarët që ne do të monitorojmë çmimet. Do të monitorojmë çmimet jo vetëm çmimet ndaj konsumatorit, por çmimet në të gjithë zinxhirin e vlerës së vetë. Ne do të kemi një monitorim të vazhdueshëm edhe të çmimeve të karburanteve”, sqaron ministrja.

Politika fiskale e vitit 2027 thotë Ministrja e Ekonomisë, synon të lë më shumë të para në xhepat e qytetarëve, teksa thekson se rritja e TVSH-së standarde me 1 pikë përqindje do të ketë ndikim tek kostot e prodhimit.
“Duhet të kuptojmë që rritja e TVSH-së, pra nga 20 në 21% në xhepat e qytetarëve ka më pak kosto sesa rritja e shportës bazë dhe sidomos në xhepat e familjeve që kanë të ardhura më të ulëta”, tha Ministrja.
Në nisje të 2027-ës, ndryshon edhe formula e tatimit mbi të ardhurat, ku për herë të parë do të ketë një normë 30% tatim për pagat më të larta se 700 mijë lekë në muaj. Por gjithashtu rritet pragu për pagat që tatohen me 13%, pasi pagat nga mbi 60 mijë lekë deri 300 mijë lekë do të kenë këtë normë tatimore, aktualisht është deri tek pagat 200 mijë lekë.
“Edhe politika e rritjes së tavanit të pagesës së tatimit 23% mbi të ardhurat është një politikë e cila synon të mbështesë shtresën e mesme të profesionistëve ato të cilët në fakt duhet të kenë më shumë të ardhura në dispozicion pasi janë shtresa e cila garanton edhe një lloj specializimi në tregun e punës”, shprehet Ibrahimaj.










