Një 29-vjeçare dhe djali i saj 6-vjeçar janë gjetur të vdekur në banesën e tyre në Brazil, ndërsa policia ka arrestuar ish-partnerin e gruas, i cili dyshohet se qëndroi në apartament gjatë orëve kur mund të jetë kryer krimi. Hetimet paraprake ngrenë dyshime se nënë e bir kanë humbur jetën nga asfiksia.
Viktimat janë identifikuar si Anna Gabriela Faria Lima, avokate 29-vjeçare, dhe djali i saj, Raphael, 6 vjeç. Trupat e tyre u zbuluan mbrëmjen e 3 nëntorit, të shtrirë pranë njëri-tjetrit në shtratin e banesës së tyre në qytetin Cotia, në zonën metropolitane të Sao Paulos.
Policia nisi hetimet pas denoncimit të familjarëve, të cilët kishin humbur kontaktet me nënën dhe djalin që prej së dielës. Në qendër të dyshimeve është ish-partneri i 29-vjeçares, biznesmeni 41-vjeçar Eric Conrado Alves de Almeida, i cili është arrestuar nga autoritetet braziliane.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se biznesmeni hyri në kompleksin e banimit së bashku me Anna Gabrielën dhe djalin e saj rreth orës 21:40 të së dielës. Ai u largua i vetëm rreth orës 02:15 të mëngjesit të së hënës. Sipas hetuesve, gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar hyrja apo dalja e personave të tjerë.
Pikërisht këto pesë orë janë në fokus të hetimeve, pasi policia dyshon se vrasjet mund të jenë kryer gjatë qëndrimit të tij në apartament. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu nëse ambientet janë pastruar përpara se ai të largohej.
Sipas dëshmive të familjarëve dhe personave të njohur të çiftit, marrëdhënia mes 29-vjeçares dhe ish-partnerit ishte shoqëruar me konflikte, kërcënime, përndjekje dhe sjellje kontrolluese. Ata kanë treguar edhe për episode të mëparshme dhune ndaj gruas.
Rasti po hetohet si femicid dhe vrasje e fëmijës me qëllim shkaktimin e vuajtjes te nëna, një formë dhune e njohur si vicaricide, ku fëmija bëhet objekt i dhunës për të dëmtuar emocionalisht prindin tjetër.
Biznesmeni është lënë në paraburgim të përkohshëm për 30 ditë. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar saktësisht se çfarë ndodhi në apartament, si dhe motivin e dyshuar të krimit.


