Vdes ish-drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Alban Hyseni: Humbje e madhe për qytetin
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Bajram Isufit, të cilin e ka cilësuar si bashkëpunëtor të përkushtuar, profesionist dhe njeri të urtë.
Përmes një postimi në Facebook, Hyseni ka thënë se Isufi do të kujtohet për ndershmërinë, përkushtimin dhe kontributin e tij për vendin dhe qytetin e Gjilanit.
Ai ka rikujtuar se Isufi kishte qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa pas luftës kishte ushtruar detyrën e drejtorit të Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Gjilanit, si dhe kishte udhëhequr Ndërmarrjen Publike Lokale “Tregu”.
“Humbja e tij është një goditje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet tona dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të punojnë me të”, ka shkruar Hyseni.
Në emër të tij personal dhe të Komunës së Gjilanit, Hyseni u ka shprehur ngushëllime familjes Isufi, miqve, kolegëve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur të ndjerin.





























