U arrestua për llogari të Greqisë, por pranoi edhe dy vrasje në Shqipëri, zbulohen emrat e vëllezërve që ekzekutoi Nikolin Pali
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku ka humbur jetën 61-vjeçari shqiptar Bashkim Rushani, të cilit i ka mbi trup një portë e rëndë metalike gjatë kohës që po kryente punime në një pronë private në qytetin e Casarano, në provincën e Leçes.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e 4 nëntorit, në zonën Contrada Spagnolo. Sipas mediave italiane, Rushani, pronar i një kompanie ndërtimi, ishte duke punuar për riparimin e disa shtyllave që mbanin një portë rrëshqitëse, kur struktura u shkëput papritur dhe e zuri poshtë.
Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të ekipeve të emergjencës, 61-vjeçari nuk mundi të mbijetonte. Në vendngjarje mbërritën gjithashtu karabinierët dhe inspektorët e sigurisë në punë, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Por përtej aktivitetit të tij si sipërmarrës në sektorin e ndërtimit, Bashkim Rushani ishte edhe një artist i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Ai ushtronte pasionin për pikturën dhe skulpturën bashkëkohore, duke marrë pjesë në kurse dhe ekspozita artistike.
Historia e tij lidhet me valën e emigrimit shqiptar drejt Italisë në fillim të viteve ’90. Rushani ishte larguar nga Shqipëria në vitin 1992, me një prej anijeve që transportonin emigrantë drejt brigjeve italiane, në kërkim të një jete më të mirë.
Fillimisht u vendos në Casarano, ku ndërtoi jetën e tij dhe u integrua në komunitetin vendas. Pas disa vitesh fitoi edhe shtetësinë italiane. Për rreth 30 vite ai punoi në sektorin e ndërtimit, ndërsa paralelisht vijoi të merrej me artin, pasion të cilin nuk e braktisi asnjëherë.
Miqtë dhe të njohurit e tij në Itali e kanë kujtuar si një njeri të mirë dhe një artist të talentuar.
“Jam i tronditur. U njohëm në vitin 1998 dhe na bashkonte pasioni për artin. Kishte një krijimtari të jashtëzakonshme, ishte një artist i gjithanshëm. Humbëm një njeri të mrekullueshëm”, është shprehur miku i tij, avokati Giovanni Bellisario.
Ndërkohë, prokuroria e Leçes ka nisur hetimet për vrasje nga pakujdesia ndaj personave të panjohur, për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkaqet që çuan në rrëzimin e portës.
Top Channel