
Nga data 3 deri më 6 nëntor, Pallati i Kongreseve mirëpriti edicionin e 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group. Aktiviteti mblodhi mbi 300 kompani dhe ekspozues nga më shumë se 12 shtete, duke krijuar një hapësirë për promovimin e bizneseve, shkëmbimin e eksperiencave dhe krijimin e partneriteteve të reja.
Në rreth 8 mijë metra katrorë ekspozimi, kompanitë prezantuan produkte, teknologji dhe shërbime në sektorë të ndryshëm, përfshirë bujqësinë, industrinë, energjinë, infrastrukturën, ndërtimin dhe teknologjinë.
Përmes konceptit “Fair of Fairs”, panairi synoi të forcojë bashkëpunimin mes sipërmarrjeve vendase dhe ndërkombëtare, si dhe të promovojë potencialet e ekonomisë shqiptare për investitorët e huaj.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të biznesit dhe delegacioneve ndërkombëtare, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim.
Pavarësisht sfidave dhe klimës së vështirë gjatë ditëve të organizimit, Klik Ekspo Group përmbylli me sukses edicionin, duke riafirmuar rolin e panairit si një platformë të rëndësishme për ndërkombëtarizimin e bizneseve dhe forcimin e lidhjeve tregtare në rajon.