Një 36-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë pas një sulmi me armë zjarri në Athinë, mbrëmjen e së premtes. Ngjarja është regjistruar në rrugën Lenorman, në zonën e Kolonos, ku shqiptari dyshohet se është përfshirë në një konflikt me dy persona të tjerë, i cili përfundoi me përdorimin e armës.
I plagosuri është qëlluar me dy plumba në pjesën e barkut dhe është transportuar me urgjencë në spitalin Attikon, ku po merr ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pas të shtënave, policia greke ka ndërhyrë në vendngjarje dhe ka ndaluar dy persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me incidentin.
Deri më tani nuk janë bërë të ditur identitetet e personave të ndaluar dhe as motivet që çuan në konfliktin me përfundim të përgjakshëm. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.


