Një 36-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë pas një sulmi me armë zjarri në lagjen Kolonos të Athinës, mbrëmjen e së premtes.

Ngjarja ndodhi në rrugën Lenorman, ndërsa rrethanat e saj mbeten ende të paqarta. Sipas të dhënave paraprake të policisë greke, para se të qëllohej, shqiptari dyshohet se është përfshirë në një konflikt me dy persona të tjerë.

I plagosuri u transportua me urgjencë në spitalin Attikon, ku po merr trajtim mjekësor. Ai ka marrë dy plumba në zonën e barkut dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në lidhje me ngjarjen, autoritetet kanë ndaluar dy persona, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende publik.

Policia greke po vijon hetimet për të zbardhur dinamikën e konfliktit dhe motivet e sulmit, ndërsa identiteti i shqiptarit të plagosur nuk është bërë i ditur.