Si po përshtaten vendet ndërsa kriza globale e energjisë vazhdon

Qeveritë kanë ndërmarrë një gamë të gjerë masash në përgjigje të krizës energjetike, duke reflektuar kushtet e ndryshme ekonomike të secilit vend. Mbështetja e mirorientuar drejt grupeve më në nevojë mbetet thelbësore, shkruan The Economist
Reagimet e vendeve ndaj krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme kanë qenë shumë të ndryshme dhe kanë evoluar ndërsa kriza është zgjatur.
Disa qeveri vepruan me shpejtësi, duke ndërmarrë ulje taksash, subvencione dhe transferta financiare për familjet, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneseve nga rritja e çmimeve.
Ndërkohë, vendet të cilat lejuan që rritja e kostove globale të energjisë të reflektohej në një masë më të madhe në çmimet e tregut vendas, u mbështetën më shumë te masat monetare, financiare dhe ato që ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetin ekonomik.
Me vijimin e krizës dhe shtimin e presioneve mbi financat publike, edhe kombinimi i politikave të ndjekura ka ndryshuar.
Vendet kanë kaluar gradualisht nga masat mbrojtëse me kosto për buxhetin e shtetit drejt lejimit të një përcjelljeje më të madhe të rritjes së çmimeve ndërkombëtare te konsumatorët dhe përdorimit të masave për menaxhimin e kërkesës.
Politikat monetare kanë marrë gjithashtu një rëndësi më të madhe, veçanërisht në vendet ku inflacioni ishte tashmë mbi nivelet historike.
Së fundmi, rreth gjysma e masave të shpallura kanë përcaktuar një grup të caktuar përfituesish, krahasuar me rreth 30% gjatë fazës së parë të krizës, çka mund të tregojë një orientim më të mirë të mbështetjes. Megjithatë, ndërsa kriza është zgjatur, është ulur numri i masave të shpallura që kanë një afat të qartë përfundimi.

Publikimi më i fundit i Instrumentit Global të Monitorimit të Politikave të FMN-së (IMF Global Policy Tracker) mundëson krahasimin e mënyrës se si vendet iu përgjigjën krizës dhe se si politikat e tyre ndryshuan nga fundi i shkurtit deri në mesin e shtatorit.
Ky instrument përfshin më shumë se 1,200 masa të shpallura në 175 ekonomi dhe i klasifikon instrumentet e politikave sipas një metodologjie të njëtrajtshme, duke mundësuar krahasimin ndërmjet vendeve.
Çfarë i ka përcaktuar zgjedhjet e vendeve
Një studim i ri i FMN-së tregon se shkalla e ekspozimit të vendeve ndaj krizës në Lindjen e Mesme ka pasur rëndësi, por nuk ka qenë faktori i vetëm përcaktues i përgjigjes së tyre.
Zgjedhjet e politikave janë ndikuar gjithashtu nga niveli i borxhit publik, kushtet e financimit, inflacioni, rezervat financiare, sistemet ekzistuese të përcaktimit të çmimeve dhe kapacitetet institucionale.
Vendimi më i rëndësishëm për qeveritë lidhet me zgjedhjen ndërmjet përdorimit të burimeve buxhetore për të zbutur efektet e krizës, për shembull përmes subvencioneve apo uljes së taksave, dhe lejimit të përshtatjes së çmimeve të brendshme me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
Në ekonomitë më të ekspozuara ndaj krizës së çmimeve të energjisë, nivelet më të larta të borxhit publik janë shoqëruar me një përdorim më të madh të masave që lejojnë kalimin e rritjes së çmimeve te konsumatorët.
Vendet ku inflacioni ishte tashmë i lartë kanë shpallur gjithashtu një përqindje më të madhe masash të politikës monetare, përfshirë rritjen e normave bazë të interesit dhe të normave të interesit për instrumentet e kreditimit dhe depozitimit pranë bankave qendrore.

Kushtet e financimit e kanë përforcuar këtë prirje. Kur diferencat e normave të interesit të borxhit sovran ndaj instrumenteve të referencës janë zgjeruar, vendet më të ekspozuara ndaj krizës kanë lejuar rritjen e çmimeve të brendshme dhe kanë përdorur më pak subvencione, ulje taksash dhe transferta të drejtpërdrejta financiare, të cilat sjellin kosto të menjëhershme për buxhetin.
Kufizimet fiskale kanë ndikuar veçanërisht te mbështetja për familjet.
Me rritjen e borxhit publik, vendet më të ekspozuara i kanë orientuar një pjesë më të vogël të masave të tyre transfertave financiare për familjet, të cilat, për nga mënyra se si janë konceptuar, përbëjnë një formë më të mirorientuar mbështetjeje.
Megjithatë, këto vende kanë vijuar të mbështeten te subvencionet për prodhuesit.
Kapacitetet administrative mund të shpjegojnë pjesërisht këtë ndryshim. Për të shpërndarë mbështetje financiare te miliona familje nevojiten regjistra socialë të besueshëm dhe sisteme funksionale pagesash. Nga ana tjetër, mbështetja e një numri më të kufizuar prodhuesish mund të jetë më e lehtë për t’u realizuar nga pikëpamja administrative.
Zgjedhje të tjera të politikave kanë reflektuar kufizime të ndryshme me të cilat përballen vendet.
Vendet me rezerva më të forta valutore kanë pasur më shumë mundësi të përdorin ndërhyrjet në tregun valutor dhe instrumentet për stabilizimin financiar.
Masat për menaxhimin e kërkesës, përfshirë kufizimin me kuota të konsumit, detyrimet për kursimin e energjisë, shkurtimin e javës së punës dhe organizimin e punës në distancë, janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme ndërsa kriza ka vijuar.
Mësimet për politikat ekonomike
Vendet kanë përdorur një gamë të larmishme, madje edhe novatore, masash ndërsa kriza ka evoluar. Megjithatë, mësimet kryesore për hartimin e politikave mbeten të pandryshuara.
Vendet me hapësira më të mëdha fiskale dhe rezerva më të forta të jashtme kanë pasur më shumë alternativa në dispozicion, ndërsa ato që përballen me borxh të lartë ose kushte më të vështira financimi janë mbështetur më shumë te përshtatja e menjëhershme e çmimeve dhe masat për uljen e kërkesës.
Edhe kuadri i politikave dhe kapacitetet institucionale kanë rëndësi.
Investimet në regjistra socialë efikasë dhe sisteme funksionale pagesash mund të sjellin përfitime të konsiderueshme, duke përmirësuar orientimin e mbështetjes drejt përfituesve të duhur, duke përshpejtuar shpërndarjen e saj dhe duke ulur kostot fiskale.
Po kështu, mekanizmat e parashikueshëm të përcaktimit të çmimeve mund t’i ndihmojnë qeveritë të reagojnë më shpejt.
Orientimi i mbështetjes drejt grupeve që kanë më shumë nevojë mbetet thelbësor, veçanërisht kur burimet financiare janë të kufizuara dhe borxhi publik është i lartë.
Por mbështetja duhet të jetë gjithashtu fleksibël.
Ndërsa kriza ndryshon për sa i përket kohëzgjatjes, intensitetit apo drejtimit të zhvillimeve, qeveritë duhet të përshtatin kombinimin, shkallën dhe mënyrën e konceptimit të masave të tyre.
Monitorimi në kohë reale mund t’i ndihmojë qeveritë t’i identifikojnë herët këto ndryshime dhe të përmirësojnë reagimin e tyre, ndërkohë që kriza është ende në zhvillim.
Në këtë mënyrë, ato mund të ofrojnë mbështetje më efikase, duke arritur rezultatet e synuara me një kosto sa më të ulët për financat publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





