
Ankaraja ka reaguar ndaj paralajmërimeve detare të lëshuara nga Greqia dhe Qiproja lidhur me projektin Great Sea Interconnector, i cili synon të lidhë rrjetet elektrike të të dy vendeve përmes një kablli nëndetar.
Ministria e Jashtme e Turqisë argumentoi se anija franceze, e cila pritet të kryejë kërkime për këtë projekt, do të angazhohet në “aktivitete të paligjshme”, pa lejen e autoriteteve turke.
Ajo deklaroi se njoftimet Navtex të Greqisë dhe Qipros “janë anuluar nga vendi ynë”.
“Për më tepër, procesi për dhënien e miratimit të nevojshëm nga vendi ynë ende nuk ka përfunduar”, thuhet në deklaratë, ku argumentohet se miratimi i Turqisë është i domosdoshëm për kryerjen e aktiviteteve në zonën e shelfit kontinental turk.
“Ne mbetemi plotësisht të vendosur për të mbrojtur të drejtat tona sovrane, që burojnë nga e drejta ndërkombëtare, dhe do të vazhdojmë të mbështesim një qasje në rajon të bazuar në bashkëpunim, dialog dhe koordinim”, thuhet më tej.
Më herët, gjatë së premtes, Turqia lëshoi një kundër-Navtex, pas njoftimeve të Greqisë dhe Qipros lidhur me operacionet kërkimore të anijes franceze Abeille Marengo.
Në njoftimin e saj, Ankaraja pretendoi se një pjesë e zonës detare të përfshirë në Navtex-in grek ndodhet brenda shelfit kontinental të Turqisë, siç është deklaruar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 18 mars 2020.
Turqia deklaroi gjithashtu se nuk ka dhënë autorizim për aktivitetet konkrete kërkimore dhe kërkoi që ato të koordinohen me autoritetet kompetente turke.
Navtex është një sistem ndërkombëtar i sigurisë detare që përdoret për transmetimin e paralajmërimeve të lundrimit, njoftimeve meteorologjike dhe informacioneve të tjera urgjente për anijet në det.
Kundër-Navtex është një term joformal që përdoret për një paralajmërim lundrimi të lëshuar nga një shtet në përgjigje të një Navtex-i të publikuar nga një shtet tjetër, zakonisht për të kundërshtuar vlefshmërinë e tij ose për të vënë në diskutim autoritetin mbi të cilin mbështetet, shkruan Ekathimerini.