Presidentja Shiroka Pula takon kryetarët e komunave, premton mbështetje për pushtetin lokal

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar të premten me kryetarët e komunave, me të cilët ka diskutuar për arritjet, problemet dhe sfidat me të cilat përballen pushtetet lokale.
Gjatë takimit, kryetarët e komunave e kanë uruar Shiroka Pulën për marrjen e detyrës së presidentes dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për të.
Sipas njoftimit, presidentja ka vlerësuar se pushteti lokal është niveli më i afërt i qeverisjes me qytetarët, pasi komunat janë institucionet e para ku ata kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre.
Ajo ka theksuar se qytetarët, përmes institucioneve lokale, e shohin çdo ditë funksionimin e institucioneve dhe nivelin e përgjegjësisë së tyre.
Shiroka Pula ka thënë gjithashtu se komunat përbëjnë një urë lidhëse ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të nivelit qendror, duke i siguruar kryetarët se do t'i mbështesë brenda kompetencave të saj.
Presidentja është zotuar se në takimet me përfaqësues të shteteve të tjera, institucione ndërkombëtare dhe partnerë zhvillimorë, do ta prezantojë potencialin e komunave të Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur se do të angazhohet për tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e mundësive të reja për financimin e projekteve komunale nga donatorët ndërkombëtarë.






































