Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se emigrantët myslimanë që vendosen në Gjermani duhet të pranojnë përgjegjësinë historike të vendit për Holokaustin, duke paralajmëruar se ata që nuk e bëjnë këtë nuk kanë vend në shoqërinë gjermane.
“Përgjegjësia historike e vendit tonë vlen njësoj edhe për ata që vijnë në Gjermani nga vendet islame. Kushdo që nuk e pranon këtë, duhet të largohet nga vendi ynë”, deklaroi Merz gjatë një pritjeje zyrtare në Berlin për sportistët hebrenj.
Kancelari priti pjesëmarrësit në Maccabiah, aktiviteti ndërkombëtar sportiv për hebrenjtë që organizohet çdo katër vjet në Izrael.
Gjatë takimit, një trajner basketbolli i përcolli Merzit shqetësimet e sportistëve për sigurinë e tyre në Gjermani. Ai tregoi se pjesëmarrësit kishin frikë se mund të sulmoheshin në rrugë nëse do të mbanin veshur xhupat e kuq të ekipit “Maccabi”, të cilët kanë të vendosur Yllin e Davidit.
Në përgjigjen e tij, Merz iu referua një fjalimi historik të ish-presidentit gjerman Richard von Weizsäcker, mbajtur në Bundestag në vitin 1985, me rastin e 40-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në atë fjalim, von Weizsäcker theksonte se brezat e rinj nuk mund të mbajnë përgjegjësi personale për krimet e kryera në të kaluarën, por kanë detyrimin të kujtojnë dhe të përballen me historinë.
Merz nënvizoi se ky parim nuk mund të kufizohet vetëm te qytetarët gjermanë, por duhet të pranohet nga të gjithë ata që jetojnë në vend, përfshirë emigrantët e ardhur nga vendet myslimane.
Deklaratat e kancelarit vijnë në një kohë kur Gjermania po përballet me shqetësime në rritje për incidentet antisemite. Merz i lidhi komentet e tij me rastet e akteve antisemite ku janë përfshirë emigrantë myslimanë, duke theksuar se përgjegjësia për të respektuar historinë dhe për të kundërshtuar antisemitizmin është e përbashkët për të gjithë shoqërinë.


