Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur mbrëmjen e së premtes zonën e Kolonosit në Athinë, ku një 36-vjeçar me origjinë shqiptare është gjetur i plagosur rëndë brenda një automjeti të parkuar.
Sipas informacioneve nga mediat greke, alarmimi i policisë është bërë rreth orës 20:35 (me orën lokale) pas telefonatës së një banori të zonës që kishte dëgjuar krismat e armës. Efektivët e mbërritur me urgjencë në rrugën "Lenorman" kanë gjetur 36-vjeçarin brenda makinës, me plagë plumbi në pjesën e barkut.
Ai është transportuar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa gjendja e tij shëndetësore mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht.
Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar dy gëzhoja që janë dërguar për ekzaminim balistik. Ndërkohë, forcat e policisë kanë shoqëruar dy persona të cilët po merren në pyetje për të verifikuar nëse kanë lidhje me ngjarjen.
Motivet e sulmit dhe identiteti i autorëve mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.