
Një gjykatë në Kenia dënoi të premten udhëheqësin e kultit, Paul Mackenzie, me 200 vite burg për vrasjen e 190 fëmijëve, të cilët u lanë të vdisnin nga uria me urdhër të tij dhe u varrosën në një pyll. Ata janë mes 500 viktimave të dyshuara të një prej masakrave masive më vdekjeprurëse të lidhura me kultet fetare në kohët moderne.
Dënimi përbëhet nga 100 vite burg për vrasje përmes urisë dhe 100 vite të tjera për vrasje të drejtpërdrejtë, deklaroi gjyqtarja Diana Kavedza gjatë leximit të vendimit.
Prokurorët thanë se Mackenzie, i cili drejtonte një kishë të krishterë apokaliptike në një pyll pranë bregdetit të Oqeanit Indian, në lindje të Kenias, u kishte kërkuar ndjekësve të tij të vdisnin nga uria, së bashku me fëmijët e tyre, në mënyrë që të arrinin në parajsë përpara fundit të botës.
Bashkëpunëtorët e tij kërcënonin dhe rrihnin viktimat për t’u siguruar që ato të zbatonin urdhrat e tij. Trupat e pajetë, të rraskapitur nga uria, u gjetën të shpërndarë në varre të cekëta dhe të hedhur në gropa latrinash. Disa viktima ishin varrosur të gjalla.
Mackenzie, i veshur me një bluzë polo gri dhe pantallona të zeza, nuk reagoi teksa gjyqtarja lexonte vendimin në një tendë të ngritur jashtë gjykatës ku u zhvillua seanca.
Ai kishte mohuar akuzat për vrasje, duke pretenduar se nuk i kishte detyruar viktimat të vdisnin nga uria. Gjykata e hodhi poshtë mbrojtjen e tij.
Njëzet e tetë bashkëpunëtorë të tij u dënuan me burgime që variojnë nga 10 deri në 160 vite. Të gjithë u shpallën fajtorë në një gjyq të zhvilluar muajin e kaluar.
Avokati i mbrojtjes, Lawrence Obonyo, i cili përfaqëson Mackenzie-n dhe pothuajse të gjithë të dënuarit e tjerë, tha se do ta apelonte vendimin.
Mackenzie, i cili transmetonte predikimet e tij në një kanal në YouTube me mijëra abonentë, arriti të fitonte besimin e viktimave përmes pranisë së tij karizmatike në media dhe më pas shënjestroi ndjekësit e pambrojtur dhe të cenueshëm, veçanërisht fëmijët, deklaroi gjyqtarja Kavedza.
“Fëmijët shihnin sesi vëllezërit dhe motrat e tyre vdisnin, pasi kishin përjetuar ditë të tëra urie”, tha ajo.
“Ata që vidhnin ushqim ose ujë rriheshin, u lidheshin duart dhe mbylleshin në shtëpi, të kthyera në ambiente agjërimi, ku liheshin të vdisnin.”
Çështja tronditi Kenian në prill të vitit 2023, kur policia nisi të zbulonte trupa në pyllin Shakahola, pranë qytetit bregdetar të Malindit.
Megjithëse në gjyq u shqyrtuan vetëm rastet e 190 fëmijëve dhe një viktime të rritur, Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut në Kenia deklaron se në pyll u gjetën gjithsej 448 trupa.
Mackenzie akuzohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e 52 personave të gjetur në një vendndodhje tjetër, në një fshat 30 kilometra larg, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave të dyshuara në 500. Në këtë çështje ai është deklaruar i pafajshëm.
Përmasat e masakrës janë të krahasueshme me ato të një kulti apokaliptik që vrau më shumë se 700 persona në Ugandë në vitin 2000, si dhe me masakrën e Jonestown-it të vitit 1978 në Guajanë, ku një udhëheqës amerikan i kultit vrau më shumë se 900 persona duke i urdhëruar të pinin helm.
Stephen Mwiti, 48 vjeç, babai i gjashtë fëmijëve të viktimizuar nga kulti i Mackenzie-t dhe bashkëshorti i njërës prej bashkëpunëtoreve të dënuara, tha se gruaja e tij i kishte marrë fëmijët në Shakahola, ku ata u lanë të vdisnin nga uria.
Edhe nëse të rriturit kishin rënë dakord të agjëronin, “po fëmijët çfarë faji kishin?”, i tha Mwiti Reuters përpara shpalljes së dënimit.
Suleiman Zero, bashkëshortja dhe gjashtë fëmijët e të cilit rezultojnë ende të zhdukur, shpërtheu në lot jashtë gjykatës pas shpalljes së vendimit.
“Jam i lumtur, por ku është familja ime?”, tha ai.
“Kërkesa e vetme që kam për qeverinë është të më ndihmojë të gjej familjen time. Nëse kanë vdekur, atëherë të paktën të më jepen trupat e tyre që t’i varros.”
Dan Mackenzie, një nga djemtë e Paul Mackenzie-t, tha se ishte larguar nga grupi kur ishte në fillim të adoleshencës, pasi kishte pushuar së besuari në premtimet e tij për parajsën. Ai humbi miqtë dhe vëllain e tij më të vogël, të cilët mbetën pjesë e grupit.
“Ky është drejtësi për njerëzit që humbëm atje, në Shakahola”, tha ai.
Një hap i rëndësishëm, por nevojitet më shumë përgjegjësi
Mackenzie kishte qenë në vëmendjen e autoriteteve që prej vitit 2017, kur policia kontrolloi ambientet e tij. Në vitin 2019, autoritetet mbyllën kishën e tij në Malindi dhe ai u zhvendos në pyllin e afërt Shakahola.
Zbulimi i varreve masive nxiti thirrjet për mbikëqyrje më të rreptë të grupeve fetare, por propozimet e mbështetura nga qeveria dhe Senati ende nuk janë kthyer në ligj.
Ojiro Odhiambo, drejtues i departamentit të reagimit të shpejtë në Komisionin e të Drejtave të Njeriut në Kenia, tha se dënimi përbënte një hap të rëndësishëm, por përgjegjësia duhet të shtrihej më tej, pasi administratorët lokalë, policia, zyrtarët e inteligjencës dhe udhëheqësit fetarë mbanin përgjegjësi për mosreagimin ndaj shenjave të përsëritura paralajmëruese.
“Të gjithë këta njerëz i kanë zhgënjyer qytetarët”, tha ai.
Gjyqtarja Kavedza pranoi se institucionet keniane kishin dështuar dhe bëri thirrje që parlamenti të ndërmarrë hapa për të parandaluar përsëritjen e një tragjedie të tillë.
Në vitin 2023, presidenti William Ruto deklaroi se merrte përgjegjësinë, në cilësinë e kreut të shtetit, për dështimin e qeverisë për të parandaluar vdekjet, shkruan Reuters.