Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti pas raportimeve për mungesë të uniformave në Polici: Kurrë s’ka pasur më shumë kujdes shtetëror

Albin Kurti

Kryeministri, Albin Kurti, nuk ka dhënë përgjigje konkrete lidhur me raportimet për mungesë të uniformave dhe pajisjeve për zyrtarët e Policisë së Kosovës, çështje kjo që ishte raportuar se kishte ndikuar edhe në shtyrjen e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë.

I pyetur për këtë çështje, Kurti ka thënë se për furnizimin me pajisje dhe uniforma përgjegjëse për të dhënë informacione është Ministria e Punëve të Brendshme. Ai ka theksuar se buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht.

“Unë tash do të shkoj atje dhe natyrisht është një arritje e re që Republikës së Kosovës po i shtohen edhe mbi 300 kadetë të rinj, nga të cilët rreth 30% janë gra. Sa i përket furnizimit me pajisje, me uniforma, është Ministria e Punëve të Brendshme që mund t’ua jep përgjigjen e duhur mbi atë se si shkojnë proceset, por buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe kurrë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për policinë, ushtrinë, oficerin dhe uniformën sikurse tani”, ka thënë Kurti, transmeton EkonomiaOnline. 

Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës do të mbahet sot nga ora 16:30, ku pritet t’i bashkohen institucionit mbi 300 zyrtarë të rinj policorë.

Është raportuar se kjo ceremoni ishte planifikuar për javën e kaluar, por u shty shkaku i mungesës së uniformave. KOHA pati kontaktuar me Policinë për këtë çështje, por s’ka marrë përgjigje. 

Haxhiu - policëve të rinj: Dhuna ndaj grave të trajtohet me seriozitet

6 o. më parë / 6 nën 2026 17:55
Albulena Haxhiu

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës u ka thënë kadetëve të rinj se me përfundimin e këtij kapitulli po marrin përsipër një nga detyrat më të rëndësishme në shërbim të vendit, mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve, jetës dhe ligjit, raporton Ekonomia Online.

“Këtë ditë do ta mbani mend gjatë, ngase këtë po e mbyllni një kapitull të rëndësishëm të jetës suaj dhe filloni një kapitull tjetër, për të marrë përsipër një nga detyrat më të rëndësishme në shërbim të Republikës së Kosovës: të kujdeseni për sigurinë e qytetarëve të Republikës tonë, të mbroni jetën e tyre, të drejtat e tyre dhe ligjin që na bën të gjithëve të barabartë.  Ju po hyni në një institucion që ka një vend të veçantë në historinë tonë të re. Policia e Kosovës u themelua në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, kur vendi ynë po niste të ndërtonte institucionet e veta”, tha Haxhiu.

Haxhiu ka theksuar se guximi i një polici nuk dëshmohet vetëm në përballje me rrezikun, por edhe në zbatimin e drejtë të ligjit, pa dallim.

“Por, të nderuar pranishëm, guximi i një polici nuk dëshmohet vetëm në përballje me rrezikun. Guxim është edhe të veprosh drejt kur është më e vështirë të hashët, të mos e shfajësosh pushtetin që tjetër uniforma, të mbrosh të dobëtin edhe kur përballë ke një të fuqishëm, të mbrosh ligjin edhe kur shkelja e tij vjen nga dikush që e njeh.  Sepse autoriteti i policit buron nga ligji, ndërsa dinjiteti i tij fitohet me sjellje dhe po ashtu edhe me vepra. Të dashur kadetë, në mesin tuaj sot janë 118 vajza dhe gra që kanë zgjedhur t’i shërbejnë vendit përmes Policisë së Kosovës”, shtoi ajo.

Haxhiu ka përmendur edhe rëndësinë e rolit të grave në Policinë e Kosovës, duke bërë të ditur se në këtë gjeneratë janë 118 vajza dhe gra.

Ajo ka kërkuar nga policët që rastet e dhunës ndaj grave të trajtohen me seriozitet dhe që institucionet të marrin masa në kohë për mbrojtjen e tyre.

“Prania e më shumë grave në institucionet e sigurisë është një zhvillim i rëndësishëm për vendin tonë, por derisa gjithnjë e më shumë gra po marrin përgjegjësi për sigurinë e të tjerëve, shumë gra të tjera vazhdojnë të jetojnë në kërcënimin e dhunës, madje fatkeqësisht edhe brenda shtëpive të tyre.  Për shumë prej tyre, vendimi për ta denoncuar dhunën vjen pas një historie të gjatë kërcënimesh, kontrolli, por po ashtu edhe frike.  Ato e dinë se denoncimi mund t’i ekspozojë ndaj një rreziku edhe më të madh.  Prandaj, kur një grua u drejtohet institucioneve, rreziku duhet vlerësuar me seriozitet dhe masat për mbrojtjen e saj duhen marrë me kohë.  Nuk mund të pranojmë që dhuna ndaj grave trajtohet si një çështje private dhe si një mosmarrëveshje familjare, apo që paragjykimet patriarkale ndikojnë në vendimet e tyre që kanë për detyrë t’i mbrojnë.  Kjo mendësi është në kundërshtim me detyrën e policit dhe me përgjegjësinë që shteti ka për mbrojtjen e jetës, andaj nuk duhet të zërë vend në institucionet e Republikës së Kosovës.  Të nderuar pranishëm, Republika e Kosovës ka nevojë për një polici të fuqishme, profesionale dhe të pajisur me mjetet e nevojshme për t’ju përgjigjur sfidave të kohës”, potencoi Haxhiu.

Sot diplomuan 397 policë të rinj. 

Sveçla: S’ka procedurë të prokurimit që e ndal përkushtimin tonë për zhvillimin e Policisë

6 o. më parë / 6 nën 2026 17:52
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk ka dhe nuk do të ketë procedura administrative dhe të prokurimit që do të ndalë përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin e Policisë së Kosovës, pas kritikave për mungesë kapelash për diplomimin e 397 kadetëve të rinj. 

“Nuk ka dhe nuk do të ketë procedura administrative e të prokurimit që do ta ndalin përkushtimin tonë dhe zhvillimin e Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës. 

Sveçla ka thënë se buxheti për Policinë është rritur për 60 për qind, nga 109 në 173 milionë euro.

“Dua t’ju siguroj se në këtë rrugëtim nuk do të jeni vetëm. Mbështetja jonë për Policinë e Kosovës dhe për secilin prej jush do të vazhdojë. Si Qeveri kemi mbështetur në vazhdimësi Policinë e Kosovës me qëllim që të keni kushtet, mundësitë dhe përkrahjen e nevojshme për ta kryer sa më mirë detyrën tuaj”, ka thënë Sveçla.

Ai ka bërë të ditur se buxheti i alokuar dhe i shpenzuar për Policinë e Kosovës gjatë pesë vjetëve të fundit ka arritur në 732 milionë euro.

Ministri ka kërkuar nga eprorët dhe menaxhmenti i Policisë që mbështetja e dhënë nga Qeveria të reflektohet në efikasitetin e punës së zyrtarëve policorë.

“Suksesi juaj në shërbim të qytetarëve është edhe përgjegjësi dhe synim i yni i përbashkët”, ka thënë Sveçla.

Është raportuar se diplomimi i 397 kadetëve policorë ishte shtyrë për një javë për shkak të mungesës së uniformave. Po ashtu, është bërë e ditur se kapelat e përdorura nga kadetët në ceremoninë e sotme të diplomimit ishin huazuar nga zyrtarët aktivë të Policisë. KOHA ka kontaktuar autoritetet për të marrë një përgjigje lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

Gjatë ditës së djeshme, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e drejtorit të prokurimit në Policinë e Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. 

Diplomojnë 397 kadetë të Policisë, Kurti: Shërbeni me integritet dhe profesionalizëm

6 o. më parë / 6 nën 2026 17:20
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, ku kanë diplomuar gjithsej 397 kadetë – 118 gra dhe 279 burra. Kurti u ka bërë thirrje zyrtarëve të rinj policorë që gjatë ushtrimit të detyrës t’i kenë prioritet integritetin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë.

“Përfaqësimi i këtij institucioni është ndër përgjegjësitë më të larta që mund dhe duhet t’ju besohet juve. Shërbimi me integritet dhe profesionalizëm duhet të mbetet përherë prioritet. [...] Asnjëherë mos i harroni mësimet dhe udhëzimet të cilat do t’ju udhëheqin gjatë mandatit dhe shërbimit tuaj”, ka thënë Kurti, transmeton EkonomiaOnline. 

Kryeministri ka përmendur edhe mbështetjen e Qeverisë për Policinë e Kosovës, duke thënë se gjatë pesë vjetëve të fundit buxheti për këtë institucion është rritur për më shumë se 50 për qind.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë ngritur dhe forcuar 20 stacione, objekte dhe baza policore në gjithë vendin, ndërsa Policia është pajisur edhe me armë të gjata, automjete dhe autoblinda të reja.

“Qeverinë tonë do ta keni përherë përkrah. Mbështetjen për Policinë e Kosovës e kemi dëshmuar vazhdimisht, shumë më lart dhe pakrahasueshëm me periudhat e mëparshme, me buxhet të alokuar dhe jo vetëm”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se për pajisjen e Policisë me automjete dhe autoblinda të reja janë shpenzuar rreth 8 milionë euro, ndërsa ka veçuar edhe forcimin e sigurisë në veri të vendit.

Kurti ka përmendur edhe zbulimin e tri varrezave masive që, sipas tij, lidhen me luftën e fundit në Kosovë, në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut.

“Arritjet janë të shumta, por me ato nuk duhet, nuk bën të vetëkënaqemi”, ka thënë ai.