Një protestë qytetare humbet forcën kur kryetarët e partive përpiqen ta kthejnë në fushatë personale. Qytetarët dalin për hallet e tyre, ndërsa politikanët afrohen me llogaritë e votave.
Këtu nis përçarja: kur zemërimi i përbashkët ndahet në interesa partiake. Tre kryetarët e partive të vogla duhet ta kuptojnë se pakënaqësia nuk është pronë e tyre. As pjesëmarrja në protestë nuk u jep të drejtën të shpallen përfaqësues të saj.
Celulari i ngritur për një video nuk është provë udhëheqjeje. Turma në sfond nuk është listë mbështetësish dhe as mandat politik. Kur secili kërkon të duket drejtues, kërkesat e qytetarëve mbeten jashtë kuadrit. Protestuesit rrezikojnë të kthehen në dekor të reklamës së radhës. Dhe njerëzit largohen kur ndiejnë se dikush po kërkon t’ua përvetësojë revoltën. Nëse protesta po zvogëlohet, këta drejtues duhet të shqyrtojnë edhe përgjegjësinë e tyre. Mbështetja kërkon respekt për pavarësinë e protestuesve dhe për zërin e tyre. Kush dëshiron vota, le t’i kërkojë hapur me program dhe përgjegjësi.
Përvetësimi i protestës vetëm ushqen mosbesimin që qytetarët kanë ndaj politikës. Ndërsa kryetarët garojnë për videon më të bukur, pushteti përfiton nga sheshi më i zbrazët. Në vend që të ulen dhe vrasin mendjen se si rrëzohet kryeministri Rama me një përbashkim të krejt opozitës ndaj pushtetit, një pjesë e tyre po bëjnë opozitën e opozitës! Realisht, ndonëse e themi me pak rezerva, por lideri demokrat Berisha u ofroi bashkëpunim gjithë spektrtit antiRama për të gjetur kandidatura për kryebashkiak, sidomos në Tiranë, por mori sulme me shumë nga partitë e vogla opozitare, bile me shumë se sa vetë PS! Nëse je kundër qeverisë harrohen diferencat politike apo qëndrimet e forta, sepse lë shteg për bashkëpunim, nëse e dëshiron realisht. Burime shumë të sigurta nga PD thanë për Koha Jone se Berisha ishte dhe është i gatshëm që të mbështesë një kandidat të ofruar dhe gjithëpranuar nga spektri opozitar, bile edhe nëse ishte vetë kandidat nga Arlind Qori, mjafton të ishte emër popullor dhe me integritet. Bile, burimet tregojnë se mund të ishte emër nga protesta e madhe qytetare dhe e studentëve. Por nuk u pranua formula e PD, por u hodhën në sulm ndaj Berishës. Sido të jetë lideri demokrat, por ka vota me shumicë në opozitë dhe pa ato vota nuk fiton dot asnjë kandidat opozitar, prandaj e habitshme se si reagohet. Nëse Berisha do të deklaronte se kandidati duhet vetëm i PD atëhere mund të kishin rezerva partitë e vogla që endërrojnë se janë të mëdha!
Për me tepër po botojmë reagimin e analistit dhe moderarit Çim Peka/redaksia e KOHA JONE/
Protestuesit mes gazit të policisë dhe përçarjes së mikrofonave e kryetaruçëve!
Nga Çim Peka-
Protesta e flamingove pati gjithçka që një lëvizje kundër pushtetit mund të kërkonte: vëmendje ndërkombëtare, mbështetje mediatike, vrull në rrjetet sociale dhe zemërimin e qytetarëve përtej vijave partiake. Socialistë të zhgënjyer, demokratë, njerëz pa parti. Në një Shqipëri të tkurrur nga emigracioni, ai shesh dëshmoi sa e madhe ishte ende dëshira për ndryshim.
Pastaj mikrofonin e morën njerëz që e ngatërruan turmën përpara tyre me ndjekësit e tyre personalë.
Këtu filloi tkurrja. Protesta kishte bashkuar njerëz kundër Ramës; drejtuesit nisën t’i ndanin sipas shijeve të veta. Kush lejohej të vinte. Kush duhej të heshtte. Kush ishte qytetar i pastër dhe kush bëhej i dyshimtë sapo deklaronte bindjen politike. Nga mikrofoni shpërndaheshin certifikata përkatësie, ndërsa sheshi humbiste njerëz.
Kur mbetën 200–300 pjesëmarrës, dështimi kishte marrë përmasa që nuk i mbulonte dot as zhurma e altoparlantëve.
Mosbindja civile e studentëve hapi një mundësi të re. Për dy të shtuna, mobilizimi dhe pjesëmarrja e mbështetësve të PD-së ndihmuan që protesta të bëhej sërish masive. Dhe menjëherë u rikthye zakoni i vjetër: sulme ndaj faktorëve politikë që e mbështetën, përplasje për protagonizëm, ankth se mos dikush tjetër merrte peshë në shesh.
Demokratët duhen të shtunën, kur duhen mbushur pamjet. Gjatë javës, mikrofonat i shpallin problem. U kërkojnë të sjellin numrat, por bindjet t’i lënë në shtëpi.
Kjo është arroganca e një drejtimi që varet nga njerëzit që përçmon.
Një protestë mund të jetë e pavarur nga partitë dhe njëkohësisht e hapur për qytetarët që i mbështesin ato. Për këtë duhet siguri politike, aftësi organizimi dhe objektiv i përbashkët. Kur këto mungojnë, mbetet kontrolli i mikrofonit. Është pushteti më i vogël i mundshëm, por disa janë gati ta paguajnë me zbrazjen e gjithë sheshit.
Edhe tre kryetarë partish të vogla duhet të përballen me të njëjtën pyetje: çfarë i shtuan protestës? Sa njerëz sollën? Çfarë rruge drejt rezultatit hapën? Titulli i kryetarit nuk është kontribut. Dalja në podium nuk është strategji.
Rama merr frymë sa herë kundërshtarët e tij harxhojnë energjinë duke luftuar njëri-tjetrin. Për të, një protestë që grindet për të drejtën e hyrjes në shesh është një protestë që po ia kryen vetë punën e shpërndarjes.
Bilanci është brutal: një mobilizim i jashtëzakonshëm përfundoi duke pritur të shtunën e ardhshme, që të vinin sërish ata të cilëve gjatë javës u tregohej dera.
Këta hynë në fushë me një stadium pas vetes dhe përfunduan duke luajtur mes shokësh. Tani kërkojnë që askush të mos ua prekë topin. Rama mund të rrijë i qetë: Kundërshtarët po futen ne fushë jo te mundin Ramen, por te zene fushen dhe ta ruajne nga përforcimet.
