Bota Health & Beauty Tech

TikTok po dëmton shëndetin mendor të përdoruesve, për BE-në, “u mbush kupa”!

Komisioni Europian akuzon TikTok-un për dështim në mbrojtjen e shëndetit mendor të përdoruesve, pasi algoritmi që ka, mund të ekspozojë të rinjtë dhe personat vulnerabël drejt përmbajtjeve të dëmshme.

Sistemi i rekomandimeve të TikTok-ut mund t’i çojë përdoruesit në një cikël të vazhdueshëm videosh mbi tema si imazhi trupor e dietat, deri te izolimi, ankthi dhe çrregullimet e të ngrënit.

Brukseli zyrtar bie dakord se një video e vetme mund të mos përbëjë problem, por ekspozimi i përsëritur ndaj dhjetëra përmbajtjeve të ngjashme ka pasoja negative për shëndetin mendor.

Edhe kur për një video, përdoruesit zgjedhin opsionin “Nuk jam i interesuar”, sërish algoritmi mund t’iu rekomandojë përmbajtje të ngjashme. Rifreskimi i faqes kryesore ofron vetëm një ndërprerje të përkohshme nga videot e së njëjtës tematikë.

Nëse gjetjet paraprake konfirmohen në përfundim të hetimit, TikTok-u mund të përballet me një gjobë deri në 6% të xhiros vjetore globale.

Hetimi i Komisionit Europian është pjesë e procedurave të nisura në shkurt 2024, në kuadër të Ligjit për Shërbimet Digjitale, që detyron platformat e mëdha online të marrin masa për të parandaluar rreziqet e lidhura me shërbimet e tyre.

TikTok nuk është dakord dhe pretendon se politikat që ka, ndalojnë përmbajtjet që promovojnë çrregullime të të ngrënit e sjellje të rrezikshme lidhur me peshën.

Në 6 muajt e parë të vitit, mbi 79 milionë përdorues në BE përdorën filtrat, për të kufizuar përmbajtjet e padëshiruara.