Ndërsa studentët vijojnë protestën dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ky i fundit ka publikuar sërish pamje nga tavolina prej guri e vendosur përpara Kryeministrisë, e cila u prezantua nga qeveria si një hapësirë për dialog me të rinjtë.
Këtë herë, kreu i qeverisë duket se ka zgjedhur ta ironizojë situatën, duke e cilësuar tavolinën si një destinacion të ri turistik të kryeqytetit.



Në një postim në Facebook, ku ka ndarë disa fotografi të saj, Rama shkruan: “Mirëmëngjes dhe me destinacionin më të ri turistik të Tiranës, ju uroj fundjavë të buzëqeshur”.
Tavolina prej guri u vendos më herët në oborrin e Kryeministrisë, me mbishkrimin “Dialog”, në kuadër të ftesave të Ramës drejtuar studentëve për të zhvilluar bisedime.
Megjithatë, të rinjtë i kanë refuzuar vazhdimisht këto ftesa, duke këmbëngulur se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit. Ndërkohë, protesta vijon pa një sinjal për ndryshim të qëndrimit të studentëve.
