Presidenti i Paraguait, Santiago Peña, është shkarkuar nga detyra përmes procesit të fajësimit (impeachment) dhe është vendosur në arrest shtëpie, pas kolapsit të bankës digjitale Ueno Bank, e cila dyshohet se kishte lidhje me interesat e tij private të biznesit.
Peña u arrestua të premten, vetëm pak minuta pasi deputetët dhe senatorët, përfshirë edhe përfaqësues të partisë së tij, votuan unanimisht për largimin e tij nga detyra, në një kohë kur kriza financiare në vend po thellohej.
Një ditë më parë, të enjten, ai kishte ofruar të jepte dorëheqjen.
Megjithatë, në vend që ta pranonin atë, senatorët vendosën ta shkarkonin përmes procesit të fajësimit, duke e shpallur fajtor për shkelje të detyrës. Si pasojë, ai humbi edhe imunitetin që zakonisht gëzojnë ish-presidentët.
Kriza shpërtheu pas kolapsit të bankës digjitale Ueno Bank, e cila u mor nën administrim nga Banka Qendrore e Paraguait. Mbyllja e saj la rreth 3 milionë depozitues pa mundësi për të tërhequr kursimet dhe pensionet e tyre. Situata shkaktoi protesta të shumta, veçanërisht në kryeqytetin Asunción.
Sipas akuzave që çuan në shkarkimin e presidentit, Peña kishte qenë në konflikt interesi, kishte ndërhyrë në mbikëqyrjen rregullatore të bankës, kishte devijuar fondet e pensioneve dhe kishte marrë pjesë në një përpjekje për të fshehur përfshirjen e institucioneve shtetërore, përfshirë Bankën Qendrore, në këtë çështje.
Dyshimet ndaj tij lidhen edhe me faktin se deri vitin e kaluar ai zotëronte aksione në kompaninë që kishte në pronësi bankën. Megjithatë, Peña i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë shkelje.
Të premten, 44 nga 45 senatorët votuan pro shkarkimit të tij, ndërsa njëri prej tyre mungonte. Pas votimit, kryetari i Senatit, Basilio Núñez, deklaroi se Peña ishte shpallur fajtor për neglizhencë në përmbushjen e detyrave të tij zyrtare.
Pas largimit të Peña-s nga detyra, zëvendëspresidenti Pedro Alliana u betua si president i përkohshëm. Ai do ta mbajë këtë detyrë deri në vitin 2028.
Në deklaratën e tij të parë, Alliana u premtoi qytetarëve të prekur nga kriza se do të dëmshpërblehen plotësisht për humbjet financiare.
Ndërkohë, senatori Rafael Filizzola e cilësoi ngjarjen si skandalin më të madh të korrupsionit në historinë demokratike të vendit, duke thënë se ajo ka dëmtuar rëndë shtetin, qytetarët dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Paraguait.
Peña pritet të merret në pyetje të shtunën lidhur me akuzat për shpërdorim të besimit, ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe përvetësim të fondeve. Lajmin e bëri të ditur prokurorja Silvia Margarita Gonzalez Vester.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i ish-presidentit, Ricardo Preda, i ka cilësuar akuzat si të pabazuara, të nxituara dhe të motivuara nga oportunizmi politik.
Në një fjalim drejtuar qytetarëve të enjten, Peña kishte shprehur keqardhje për situatën, duke deklaruar:
Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të tradhtoja besimin që më keni dhënë.










