Një 32-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në dy vjedhje banesash në zonën e Bergamos. Dy personat që dyshohet se ishin me të arritën të largoheshin, ndërsa ai u kap nga policia pas një përleshjeje me efektivët.
Ngjarja nisi pasi karabinierët identifikuan një automjet të dyshimtë në Albano Sant’Alessandro dhe e ndoqën deri në Torre de’ Roveri. Pas ndalimit pranë një fushe sportive, drejtuesi i automjetit mori në makinë dy persona që vinin nga zonat bujqësore përreth.
Lëvizjet e tyre ngritën dyshime te karabinierët, të cilët kërkuan përforcime nga patrulla e Radiomobile. Në momentin që panë efektivët, të tre braktisën automjetin dhe u larguan me vrap drejt fushave.
Dy prej tyre arritën të arratiseshin, ndërsa 32-vjeçari shqiptar u kap pas një përleshjeje me policinë. Sipas karabinierëve, ai mbante ende veshur doreza të zeza pune dhe, gjatë rezistencës, shkaktoi rrëzimin dhe plagosjen e njërit prej efektivëve.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi mbi 1 mijë euro para të gatshme, disa bizhuteri ari dhe sende të tjera me vlerë, të cilat dyshohet se lidhen me vjedhjet.
Në automjet u gjetën gjithashtu disa mjete që dyshohet se mund të përdoreshin për vjedhje banesash. Mes tyre ishin kaçavida, pincë prerëse, një majë trapan e modifikuar, dy elektrikë dore, një fleksibël dhe një radio marrëse-dhënëse.
Pas arrestimit, 32-vjeçari u dërgua në burgun e Bergamos. Në përfundim të seancës për vleftësimin e arrestit, gjyqtari i hetimeve paraprake vendosi që ai të qëndrojë në arrest shtëpie, me byzylyk elektronik.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar vendndodhjen e dy personave të tjerë, të cilët janë ende në kërkim


