Zgjedhjet në PD! Demokratët votojnë për drejtuesit e rinj në Fier dhe Korçë

Anëtarët e Partisë Demokratike në Fier dhe Korçë i janë drejtuar këtë të shtunë kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj të degëve lokale. Në Fier, gara zhvillohet mes pesë kandidatëve: Ardian Ferro, Enkelejda Veliu, Fatjon Semanjaku, Gentian Koçi dhe Festim Meta. Sipas listave të rishikuara, në këtë proces kanë të drejtë vote rreth 3,800 anëtarë, nga rreth 8,000 që numëroheshin më parë.
Zgjedhjet në degën e Fierit nuk u zhvilluan në afatin e parashikuar nga statuti, ndërsa pas rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit dhe dorëheqjeve në strukturat lokale u ngrit një grup pune prej 43 anëtarësh për riorganizimin e degës. Në këtë periudhë, drejtues i komanduar u vendos Ardian Ferro, i cili tashmë është një prej kandidatëve për kryetar.
Procesi në Fier është shoqëruar me përplasje dhe kontestime. Ish-kryetari i degës, Rrapi Gjika, ka akuzuar publikisht për manipulim të listave dhe paracaktim të fituesit, duke pretenduar se shtyrja e zgjedhjeve është bërë për të përcaktuar drejtuesin e preferuar nga Flamur Noka dhe Gazment Bardhi. Votimi në Fier ka nisur në orën 08:00 dhe do të përfundojë në orën 18:00.
Ndërkohë, procesi zgjedhor ka nisur edhe në selinë e Partisë Demokratike në Korçë. Në garë për drejtimin e degës janë dy kandidatë, Harito Zoto dhe Mikel Dishnica. Sipas listës zyrtare, rreth 4,800 anëtarë kanë të drejtë vote për të zgjedhur kryetarin e ri.
Votimi në të dyja degët do të përcaktojë drejtuesit e rinj të strukturave lokale të PD-së, ndërsa rezultatet pritet të shpallen pas përfundimit të procesit zgjedhor.
/vizionplus.tv




