Ish-presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mbledhur mbrëmjen e së premtes mbështetësit e tij në Sremska Mitrovicë, ku deklaroi se Partia Përparimtare Serbe do të kalojë në një fazë të re, duke u pozicionuar si “opozitë shtetformuese”, pas humbjes në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Takimi u shoqërua edhe me një moment simbolik, kur Vuçiç mori mikrofonin dhe këndoi këngën nacionaliste serbe “Vidovdan”, e lidhur ngushtë me mitin e Kosovës dhe narrativën nacionaliste në Serbi.

Në aktivitet ishin të pranishëm edhe familjarë të tij, ish-kryeministrja Ana Bërnabiç dhe deputetë të Partisë Përparimtare Serbe, tashmë jashtë pushtetit.

“Kudo që shkoj, te ti kthehem sërish; kush mund ta shkëpusë vallë Kosovën nga shpirti im?”, dëgjohet të këndojë Vuçiç, duke iu referuar Kosovës si pjesë të identitetit dhe historisë serbe.

Kënga “Vidovdan”, e krijuar në vitin 1989, është shndërruar ndër vite në një simbol të nacionalizmit serb dhe lidhet me narrativën historike për Betejën e Kosovës të vitit 1389. Ajo përdoret shpesh në tubime politike dhe aktivitete që synojnë të mobilizojnë elektoratin nacionalist.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb