Studenti Dejvi Karaj, i ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, ka folur për vështirësitë ekonomike me të cilat përballen studentët, dhunën policore dhe kërkesat e protestës. Ai u shpreh se të rinjtë vijnë në Tiranë për të studiuar, por detyrohen të punojnë për të përballuar shpenzimet, pasi as prindërit nuk kanë mundësi t’i mbështesin plotësisht.

Karaj i cilësoi punët që ofrohen për studentët si “skllavëri moderne”, për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të vështira. Ai tregoi se i është dashur të punojë për një pagë prej 350 mijë lekësh në muaj, shumë që, sipas tij, nuk mjafton për të përballuar nevojat.

Duke folur për raportin me policinë, studenti tha se nuk e konsiderojnë atë si kundërshtarin e tyre, pasi përballja e tyre është me kastën politike. Sipas tij, një pjesë e efektivëve i kuptojnë problematikat e studentëve, por janë të detyruar të qëndrojnë në krah të institucioneve për shkak të detyrës. Megjithatë, ai dënoi rastet e dhunës ndaj protestuesve.

“Dhjetë policë të kapin një të ri për ta rrahur është makabritet”, u shpreh Karaj.

Studenti solli në vëmendje edhe kontrastin mes mungesës së mjeteve për përballimin e zjarreve gjatë verës dhe përdorimit të autoboteve me ujë kundër protestuesve. Ai tha gjithashtu se u ka bërë thirrje mbështetësve të opozitës t’i bashkohen protestës, por jo deputetëve, pasi, sipas tij, këta të fundit mendojnë për karriget e tyre.

“Ne nuk kemi dalë për përfitime apo për të pasur përfitime. Duam të rrëzojmë sistemin e kalbur, ndaj jemi në shesh”, deklaroi ai.

Sa i përket një zgjidhjeje politike, Karaj tha se ajo duhet të dalë nga vetë sheshi dhe të marrë mbështetjen e të gjithë protestuesve. Ai u shpreh se një zgjidhje e tillë mund të jetë pozitive, por theksoi se vendimi duhet të jetë i përbashkët. Studenti shprehu shqetësimin se protesta mund të prodhojë figura të reja politike që në të vërtetë synojnë vetëm pushtetin.

Ai foli edhe në lidhje me përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për dialog.

“Nuk ka dialog, nuk mund të thotë dikush pas 13 vitesh e të thotë të dialogojmë çfarë hallesh kemi. Për të dalë mirë para ndërkombëtarëve do të gjejë një grup studentësh. Ne ende diskutojmë për ujë 24 orë dhe arsim cilësor apo hekurudhë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb