Trafikoi mbi 60 tonë kokainë/ SPAK çon në gjyq organizatën kriminale ndërkombëtare, 16 të pandehur dhe mbi 9 mln euro pasuri të sekuestruara

Aktualitet | 1 minutë më parë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet duke dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë 16 anëtarë të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare.

Struktura e Posaçme ka dokumentuar se ky rrjet kriminal ka organizuar dhe realizuar trafikimin e mbi 60.7 tonëve kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian gjatë periudhës 2019–2021.

Sipas dosjes hetimore, organizata funksiononte me një strukturë të mirëfilltë vertikale dhe kontrollonte të gjitha hallkat e zinxhirit logjistik: nga sigurimi i lëndës narkotike në vendet e origjinës, transporti ajror e detar, e deri te magazinimi dhe shpërndarja me shumicë në tregjet evropiane.

Në krye të këtij rrjeti ndërkombëtar, si drejtues të nivelit të parë, identifikohen shtetasit Franc Gergely (alias Franc Çopja), i arrestuar në Belgjikë, Ervis Çela, i arrestuar në Shqipëri, si dhe Fadil Balla (alias Julian Balla).

Hetimet zbuluan se Ervis Çela koordinonte furnizimin dhe lëvizjen e kokainës nga Bolivia e Paraguai, ndërsa Franc Gergely menaxhonte hyrjen e ngarkesave përmes porteve kyçe evropiane, veçanërisht atij të Anversës në Belgjikë, si dhe shpërndarjen e mëtejshme me qendër në Holandë.

Hetimi zbardhi se lënda narkotike blihej në Amerikën Latine me çmime 4,100–4,200 dollarë për kilogram dhe kamuflohej brenda ngarkesave me mallra të ligjshme tregtare, si stuko apo bojëra industriale, përmes shoqërive tregtare të ngritura posaçërisht në Paraguai.

Për transportin përdoreshin linja lumore e detare drejt porteve të Buenos Aires, Hamburgut, Barcelonës, Rotterdamit dhe Anversës. Për shlyerjen e detyrimeve financiare dhe lehtësimin e operacioneve logjistike, grupi përdorte mekanizma informale të transferimit të parave si sistemi “Hawala” dhe koded identifikuese “token”, duke shmangur me lehtësi kanalet bankare konvencionale.

Të dhënat vendimtare për zbardhjen e kësaj veprimtarie kriminale u siguruan përmes analizimit të komunikimeve të enkriptuara në platformat SkyECC dhe EncroChat, si dhe përmes leterporosive me autoritetet e huaja.

Gjatë kësaj periudhe, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë dokumentuar pesë episode sekuestrimesh masive në porte evropiane, duke përfshirë sekuestrimin e rreth 17 tonëve kokainë në Hamburg të Gjermanisë në shkurt të vitit 2021, me një sasi totale prej mbi 18.3 tonësh kokainë të bllokuar në këto episode.

Në kuadër të hetimeve pasurore, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuri të luajtshme e të paluajtshme me vlerë totale që përllogaritet në rreth 9 milionë e 181 mijë euro.

Mes pasurive të bllokuara përfshihen komplekse agroturizmi si “Solis FARM” në Baldushk, resorti “AJMAN PARK” në Xhafzotaj të Durrësit me vlerë investimi mbi 463 milionë lekë, një vilë luksoze me vlerë 1 milion euro në kompleksin “Ionian Olea” në Dhërmi, kapanone industriale në Sharrë të Tiranës, kuota shoqërish tregtare, 25 automjete motorike, llogari bankare dhe shuma cash.

Grupi i të pandehurve përballet me akuza të rënda penale që përfshijnë “Trafikimin e narkotikëve”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, “Krijimin dhe pjesëmarrjen në organizatë kriminale”, si dhe “Ndërtimin e paligjshëm” kryer në bashkëpunim për qëllime fitimi. SPAK ka shprehur falënderime për mbështetjen e opedat, Qeverisë së SHBA-së, Eurojust, Europol (në kuadër të operacionit “White Eclipse”), si dhe autoriteteve gjyqësore të Belgjikës, Holandës, Gjermanisë, Spanjës, Italisë, Paraguait, Brazilit e shteteve të tjera partnere. Hetimet vijojnë në një procedim të veçuar për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimin e pasurive të tjera me origjinë kriminale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme