Emiljan Mehilli, 45 vjeç, është arrestuar në flagrancë në fshatin Krutje e Poshtme të Lushnjës, pasi akuzohet se shiste kokainë në doza. Gjatë kontrolleve në automjetin dhe banesën e tij, policia sekuestroi 156 gramë lëndë të dyshuar narkotike, si dhe një armë gjahu me 105 fishekë.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Gjurmimi”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Lushnjë në bashkëpunim me Policinë e Fierit. Sipas policisë, 45-vjeçari ishte në vëzhgim pas informacioneve se shiste lëndë narkotike të ndarë në doza.
Ai u ndalua teksa lëvizte me automjet në fshatin ku banonte, ku gjatë kontrollit iu gjetën 65 doza të dyshuara kokaine.
Në vijim të kontrolleve në automjet dhe në banesë, uniformat blu sekuestruan në total 156 gramë kokainë, dy peshore elektronike, një armë gjahu me 105 fishekë, një celular, automjetin, si dhe shuma parash në euro dhe lekë, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.


